Maqedoni
Sh. F. “Ismail Qemali” në Çair, spekulime për kidnapimin e nxënësve, Agushi: Policia thotë se bëhet fjalë për spekulime
27.09.2016 18:01
Prej disa ditësh në Shkup dhe qytete tjera të vendit po qarkullojnë informacione për tentime të kidnapimit të fëmijëve...

Një informacion i tillë u përhap sot edhe në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Fushë Tophanë të Çairit, ku në orët e paradites nga ana e nxënësve u spekulua se është bërë një kidnapim i një fëmije. Por, drejtori i kësaj shkolle, Kadri Agushi, mohon të ketë ndodhur një gjë e tillë, pasi ai ka njoftuar policinë për spekulimet e tilla, nga e cila një gjë e tillë nuk është konfirmuar të ketë ndodhur.
“Në orën 12 e 15 erdhën dy vajza dhe thanë se vëllai i vet e ka parë një fëmijë duke e marrë dy burra dhe një grua me një furgon të zi. Nuk dinin të sqaronin, sepse thoshin se vëllai e ka parë. E mora me seriozitet, i thashë sigurimit të shohë se çfarë është puna dhe e lajmërova policinë. Ai tha se nuk ka asgjë të lajmëruar dhe se këto janë spekulime, sepse në rrjetet sociale ka spekulime të shumta, prandaj fëmijët janë frikësuar ose e kanë marrë atë si lojë. Njëherë thane një, pastaj thanë dy, sipas telefonatave nga prindërit, edhe më pas erdhi nipi im, tha gjysh i paskan kidnapuar katër fëmijë, por deri tani nuk ka asgjë, kjo është vetëm spekulim”,- deklaroi drejtori në Sh. F. “Ismail Qemali”, Kadri Agushi.
Megjithatë, është dërguar një patrullë policore, e cila nuk ka hasur në diçka të dyshimtë dhe gjithçka mbetet në kuadër të spekulimeve, thotë drejtori Agushi. Gjithçka ka filluar në rrjetet sociale me njoftime për tentim të kidnapimit të fëmijëve nëpër lagje ose para shkollave, por asnjë rast nuk është evidentuar në organet policore.
Autoritetet dyshojnë se informatat e tilla po plasohen nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët po alarmojnë me qëllim të frikësimit të prindërve dhe fëmijëve.
GYLTENE SINANI
