Botë

Gjermani, shpërthim në një xhami në Dresden

27.09.2016 19:04

Dy bomba të improvizuara shpërthyen të hënën në mbrëmje në qytetin lindor gjerman të Dresdenit...

Dy bomba të improvizuara shpërthyen të hënën në mbrëmje në qytetin lindor gjerman të Dresdenit, njëra në një xhami dhe tjetra në Qendrën për konferencë ndërkombëtare, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
 
Themeluesi i xhamisë të Dresdenit thotë se xhamia e komunitet turk gjatë kohë është në shënjestër. Të dyshuarin dëshmitarët e përshkruajnë si një djalë rreth të 18-tave, i veshur me të zeza dhe helmet të zezë, i cili vendosi bombën para derës dhe priste në makinë. 
 
"Kjo mund të ndodhë kudo. Ne kemi pritur diçka si kjo për një kohë të gjatë. Disa dritare të xhamisë janë thyer në të kaluarën, si dhe janë bërë disa mbishkrime në mur. Por, kjo është hera e parë që diçka e tillë ndodh. Shpresojmë se do të jetë hera e fundit dhe do të jemi të lumtur që jetojmë në Dresden. Kjo mund të ndodhë në Stamboll, në Paris, në Berlin. Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë dhe të mbajmë sytë hapur për të ndaluar dikë nëse përpiqet të bëjë diçka të tillë në të ardhmen”,- deklaroi themeluesi i xhamisë, Demirbas Mehmet.
 
Edhe pse deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, autoritet besojnë se motivi ishte ksenofobia. Policia gjithashtu nuk e hedh poshtë mundësinë se raste të tilla janë planifikuar për fundjavën që vjen në qytet gjatë shënimit të përvjetorit për ribashkimit e Gjermanisë.
 
"Sigurisht që këto dy ngjarje do të na çojnë të marrim masa më të rrepta në aspekt të sigurisë. Por, kujdes ndaj histerisë. Në të kundërtën, policia e Saksonisë dhe njësitë e tjera të policisë janë duke na ndihmuar të na sigurojnë se festat duhet të festohen”,- tha shefi i Policisë, Bernd Merbitz.
 
Gjatë natës, forca të shumta policore u dërguan për të mbrojtur edhe xhamitë e  tjera në qytet. 
 
Fluksi i rreth 1 milion emigrantëve në Gjermani vitin e kaluar ka rritur tensionet sociale, sidomos në Gjermaninë Lindore, ku ka pasur disa sulme të profilit të lartë në strehimoret e refugjatëve.
 
GAZMEND KURTISHI