Vdiq ish presidenti izraelit Peres, keqardhje dhe vlerësim nga Obama e Steinmeier

28.09.2016 10:37

Ish-presidenti i Izraelit dhe laureati i çmimit Nobel, Shimon Peres ka vdekur...

Ish-presidenti i Izraelit dhe laureati i çmimit Nobel, Shimon Peres ka vdekur, të mërkurën, pas një sulmi në tru, kanë bërë të ditur mjekët.

Peres, 93 vjeçar, ishte njëri prej liderëve më të pëlqyer në Izrael dhe jashtë vendit. Ai ka qenë në pothuajse çdo pozicion publik në Izrael, në karrierën e tij politike prej shtatë dekadash.

Peres është vlerësuar për udhëheqjen e vendit në momentet përcaktuese, që prej krijimit të arsenalit bërhthamor në vitet 1950 deri tek bisedimet për paqe me palestinezët në vitet 1990. Peres ka fituar çmimin Nobel për Paqe në vitin 1994, për rolin e tij në bisedimet e paqes.

“Nuk ka asnjë alternativë për paqen. Nuk ka asnjë kuptim të shkohet në luftë”, kishte thënë Peres.

“Terrori nuk ka mesazh. Terrori nuk mund ta pjekë bukën e as të ofrojë ajër të pastër për të marrë frymë. Është i kushtueshëm, është i kotë, nuk prodhon asgjë”, kishte deklaruar dikur Peres. 

Keqardhje dhe vlerësime për personalitetin e Peres kanë ardhur nga politikan ndërkombëtarë përfshi presidentin amerikan Barack Obama.

Presidenti amerikan ka thënë se Peres ka qenë një prej pak njerëzve “që ka ndërruar kursin e historisë njerëzore jo vetëm përmes rolit të tij në ngjarjet humane por edhe përmes zgjerimit të imagjinatës sonë morale”.

Edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka vlerësuar punën e Peres për përmirësimin e marrëdhëneve në mes të Gjermanisë dhe Izraelit pas Luftës së Dytë Botërore.

“Me dëshirën e tij të palëkundër për ta bashkuar të kalurën dhe të ardhmen, Shimon Peres iu dedikua miqësisë unike në mes të Izraelit dhe Gjermanisë”, ka thënë Steinmeier përmes një deklarate.