“Thesari” lënda e rradhës e PSP-së, tre të akuzar nga DSK dhe një nga MPB
Prokuroria Speciale ka prezentuar sot lëndën e parë nga krimi ekonomik...

Prokuroria Speciale ka prezentuar sot lëndën e parë nga krimi ekonomik i cili ka dalë nga materialet e përgjuara, të koduara me emrin “Thesari”.
Sipas kësaj prokurorie tre persona udhëheqës të lartë në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim dhe një person nga MPB-ja akuzohen për keqpërdorim gjatë furnizimit të pajisjeve nga Britania e Madhe.
Furnizimi i pajisjes është kryer përmes firmës “Finzi Dooel- Shkup’, pronësi e Kosta Kërpaç.
Ashtu siç njoftoi prokurorja Fatime Fetai, bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të Republikës së Maqedonisë për 862.045 eurove.
Ky furnizim i pajisjeve për nevoja të MPB-së ka filluar në vitin 2010. PSP-ja gjatë ditës së sotme do të kërkoj nga gjykata masa të posaçme për personat e dyshuar.
Për llojin e pajisjes dhe se për cilën firmë nga Britania bëhet fjalë, nga PSP-ja thanë se nuk mund të japin detaje, ngase vlerësojmë se dëmtojnë procesin hetimorë.
Transaksionet janë kryer edhe përmes kompanisë me të njejtin emër “FINZI SHBA” por e regjistruar në Qipro.
Veprimet kanë vazhduar edhe në vitin 2011 dhe se pronarit të firmës i është thënë se ka nevojë për pajisje shtesë dhe është përgatitur aneks marrëveshje, duke përfshirë edhe marrëveshje për mirëmbajtje.
