Shefi i SpaceX, plan për ndërtimin e një qyteti në Mars
Shefi i SpaceX, Elon Musk, ka prezantuar një plan ambicioz....

Shefi i SpaceX, Elon Musk, ka prezantuar një plan ambicioz për të ndërtuar një qytet në planetin Mars, ku do të dërgoheshin mijëra njerëz.
Çmimi për të shkuar në Mars, sipas Muskut, do të jetë 100 mijë dollarë për person.
Duke folur në Kongresin Ndërkombëtar për Astronautikë në Meksisë, Musk ka treguar me detaje planin e tij për një raketë gjigante, e cila do të dërgonte njerëzit në Mars.
Në këtë raketë ai tha se do të ketë restorante, kabina, lojëra dhe filma. “Ne duhet që pas këtyre misioneve të hershme të eksplorimit të ndërtojmë një qytet të vërtetë”,- tha ai, duke shtuar se një gjë e tillë mund të bëhet në 40 deri në 100 vjetët e ardhshme.
Musk e paraqiti konceptin e tij për sistemin e transportit ndërplanetar përmes një video. Ky transport do të bëhej me raketa të ripërdorshme, të cilat do të bartnin nga 100 persona.
Musk tha se fluturimi i parë drejt Marsit do të jetë i shtrenjtë, por ai ka për qëllim që “udhëtimi të bëhet i arritshëm për këdo që do të shkojë”, duke thënë se çmimi i biletës do të ulet deri në 100 mijë dollarë për person.
