Debati Clinton–Trump, analistët: Nuk u prekën temat thelbësore

28.09.2016 13:17

Debati i parë mes Hillary Clinton dhe Donald Trump...

Debati i parë mes Hillary Clinton dhe Donald Trump pati mjaft energji dhe substancë për sa i takon çështjeve si ekonomia dhe tregtia.

Por, dy kandidatët u kritikuan pasi nuk folën për çështje të tjera thelbësore, mes të cilave si do të sillet presidenti i ardhshëm në rolin e komandantit të përgjithshëm. Analistët kujtojnë se fjala Afganistan thuajse nuk u përmend fare gjatë debatit, veçse nga Clinton si shembull i bashkëpunimit të NATO-s.

Kjo është një amnezi e çuditshme, duke qenë se Afganistani është lufta më e gjatë e ShBA-ve dhe ndërsa raportohet se talebanët kontrollojnë 30% të territorit të vendit.

Dy kandidatët nuk thanë nëse presidenti i ardhshëm do të vazhdojë të tërheqë trupat nga Afganistani, apo nëse situata kërkon një prani më afatgjatë.  Emigracioni ishte një tjetër temë që Clinton dhe Trump nuk e prekën fare.

Gjatë fushatës, miliarderi ka dhënë ide kontradiktore, si muri në kufirin meksikan, ndalimi i hyrjes së  myslimanëve në ShBA dhe i njerëzve nga vende që kanë probleme me terrorizmin.

Dy kandidatët i harruan këto tema, rrjedhimisht nuk u dha as ideja e secilit prej tyre për zgjidhjen e problemit të 11 milionë refugjatëve pa dokumente në ShBA. Siria, kriza më e rëndë humanitare që pas Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu nuk bëri pjesë në debatin presidencial.

Kjo për analistët është e çuditshme, pasi bombardimet e fundit në Alepo po krahasohen me ato të Dresdenit në Luftën e Dytë Botërore.

Analistët thonë se dy kandidatët duhet të flasin patjetër për këto tema në debatet e ardhshme, përndryshe që të dy rrezikojnë të humbasin besueshmëri. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)