Maqedoni
Anulohet seanca për PSP-në, LSDM: VMRO po e kthen në cirk Komisionin
28.09.2016 14:15
U anulua sërish seanca e Komisionit për sistem politik, në të cilën duhej të shqyrtohet raporti i punës gjashtëmujor të PSP-së...

U anulua sërish seanca e Komisionit për sistem politik, në të cilën duhej të shqyrtohet raporti i punës gjashtëmujor të PSP-së, por edhe raporti i punës për vitin 2015 i Prokurorisë Themelore Publike.
Megjithëse kryeprokurorja Janeva të hënën bëri të qartë se nuk do të marrë më pjesë në mbledhjet e Komisionit, por vetëm në seancën plenare, kryetari i Komisionit, Vllatko Gjorçev, anuloi seancën me pretekstin se nuk ka arritur njoftim se Janeva nuk do të marrë pjesë.
“Në Komision nuk ka arritur paralajmërim se prokurorja Janeva nuk do të marrë pjesë. Prandaj e anuloj seancën për nesër”,- tha kryetari i Komisionit për sistem politik, Vllatko Gjorçev.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugarevski, tha se ky akt i VMRO-DPMNE-së bëhet me qëllim që raporti i prokurorit, Marko Zverlevski, të mos vijë në rend dite për shqyrtim.
“VMRO bën cirk me Komisionin për sistem politik, me qëllim që raporti i prokurorit publik, Marko Zvrlevski, të mos vijë në rend dite as në Komision e as në seancë plenare. Siç e dini, ne që në fillim kërkuam ndryshimin e rendit të ditës. Pasi që sipas një rendi të Kuvendit, raporti i Zvërlevskit duhet të shqyrtohet i pari, ndërsa raporti i PSP-së i dyti, por VMRO-DPMNE e interpreton rregulloren ndryshe”,- u shpreh koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugarevski.
Sugarevski pohon se raporti i PSP-së mund të diskutohet pa praninë e prokurores speciale, Katica Janeva.
SANIJE DURAKU
