PPS hap rastin “Thesari”, katër zyrtarë të dyshuar për krim ekonomik

28.09.2016 14:44

PPS ka hapur procedurë hetimore për katër persona...

PPS ka hapur procedurë hetimore për katër persona, udhëheqës në DSK dhe MPB, në një rast të titulluar “Thesari” (Trezor).

Sipas Prokurorisë Speciale, ekzistojnë dyshime të bazuara për krim ekonomik, përkatësisht keqpërdorim fondesh publike për pasurim personal.

“Në këtë çast, hetimi hapet për shkak të dyshimit të bazuar se me veprimet e tre personave, udhëheqës në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, dhe të një personi, udhëheqës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RM-së, është siguruar interes pronësor, nga një subjekt juridik i njohur mirë, i regjistruar në RM nën emrin DTU “Finzi” doel - Shkup, në vlerë të përgjithshme prej 53 015 794 den., ose 862 045 euro, dhe për këtë shumë është bërë dëm i drejtpërdrejtë i buxhetit të RM-së”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Sipas provave nga muaji korrik i vitit 2010 deri në fund të vitit 2012, tre personat e parë, të dyshuar, së bashku kanë keqpërdor pozicionin dhe personit juridik “Finzi” i kanë siguruar interes pronësor në vlerë prej 577 000 euro. Ndërkaq, për personin e katërt të dyshuar ekziston dyshim i bazuar se si person zyrtar me paramendim iu ka ndihmuar të dyshuarve të tjerë në realizimin.

“Nga dëshmitë e siguruara në këtë lëndë rezultoi dyshim i bazuar se mjetet e tilla përmes keqpërdorimit të pozicionit nga disa funksionarë dhe përmes dëmtimit të buxhetit janë shfrytëzuar për qëllime të tjera, konkretisht për interes pronësor, pasurim personal, gjë që është e dënueshme me Kodin Penal”,- tha prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Keqpërdorimi i fondeve është realizuar përmes furnizimit me pajisje elektronike dhe komunikimi për nevojat e MPB–së dhe DSK-së, në emër të DSK-së, për nevojat e DSK-së. Edhe keqpërdorimi i dytë ka ndodhur në formë të njëjtë përmes firmës së njëjtë, “Finzi”, në periudhën 2014-2015. 

PPS njoftoi se do të kërkojë nga gjykata që të marrë masa për të siguruar prezencën e personave nën hetim gjatë gjithë procedurës dhe masa për ngrirje të përkohshme të pasurisë.

Me rastin “Thesari” ndërlidhet edhe dëshmitari i ndjerë i PPS-së, Kosta Kërpaç. (Shpëtim Nuredini, TVM2)