Bursa “Boris Trajkovski”, studime posdiplomike në “City College” në Selanik
20 studentëve më të mirë iu ndanë bursa “Boris Trajkovski”...

20 studentëve më të mirë iu ndanë bursa “Boris Trajkovski” për studime posdiplomike në programin për Administratë Biznesi në “City College” në Selanik, Fakulteti për studime ndërkombëtare pranë Universitetit “Shefilld” nga Britania e Madhe.
Bursat janë siguruar nga Ministria e Arsimit dhe Universiteti “Shefild”, ndërsa tradicionalisht i ndan presidenti i vendit.
“Nuk ka investim më të vlefshëm se sa arsimimi kualitativ i orientuar nga e tashmja dhe e ardhmja. Maqedonisë i nevojiten liderë në biznes administratë, menaxhim dhe financa. Ishte i madh numri i atyre që u paraqitën në konkurs, por i vogël numri i atyre që u përzgjodhën. Ju ishit më të mirët. Investojmë në ju duke besuar se do të jeni ndërmarrës dhe menaxherë të mirë, me karrierë të suksesshme dhe përgjegjësi ndaj shoqërisë”,- tha kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
“Studimi në Universitetin “Shefilld” është mundësi unike, pasi ai është një nga 100 universitetet më të mira në botë, me pesë fitues të çmimit Nobel dhe profesorë me renome si ligjërues”,- theksoi drejtori i “City College” në Selanik, Joanis Ververidis.
Bursa “Boris Trajkovski” deri më tani u është ndarë rreth 200 studentëve. (Gyltene Sinani, TVM2)
