Maqedoni

Mbrojtja nga ndryshimet klimatike, mure mbrojtëse në Studeniçan me ndihmë të USAID-it

28.09.2016 16:20

Në Studeniçan përfundoi ndërtimi i murit mbrojtës që ka si qëllim parandalimin e rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve në këtë fshat...

Projekti është financuar nga USAID-i dhe është pjesë e strategjisë shoqërore për ndryshime klimatike në rritjen e vetëdijes për investime në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore.
 
Përmes të njëjtit projekt u financua edhe rekonstruimi i shtratit të lumit “Meris”. 
 
“Masat e implementuara për adaptim në ndryshimet klimatike që po promovojmë në Studeniçan rrisin rezistencën e bashkësisë lokale ndaj  katastrofave potenciale lidhur me përmbytjet dhe rrëshqitjen e tokës”,- deklaroi drejtori i misionit USAID, Xhejms Stajn.
 
“Veçanërisht në kohërat e vërshimeve në këtë pjesë të fshatit ekzistonte rrezik i madh nga përmbytjet. Po ashtu në pjesën e epërme të fshatit çdoherë ekziston rrezik i madh i rrëshqitjes së tokës, në kohën e fundit ajo rrëshqitje arriti deri te rruga lokale që lidh pjesën më të madhe të popullatës në shkollën fillore të fshatit Studeniçan. Tani pas mbarimit të këtij projekti këto probleme mund t’i konsiderojmë të kaluara”,- tha kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
 
Për këtë projekt USAID-i ndau 80 mijë dollarë, ndërsa komuna e Studeniçanit 20 mijë dollarë. Projekte të ngjashme me strategji afatgjatë për ndryshimet klimatike USAID realizon edhe në 10 komuna të tjera të vendit. 
 
REXHEP QAMILI