Kryqi në Butel, kushtetuesja jokompetencë të diskutojë rreth tij
Gjykata Kushtetuese është shpallur jokompetente....

Gjykata Kushtetuese është shpallur jokompetente për të vendosur nëse vendimi i Komunës së Butelit për ndërtimin e Kryqit prej 55 metrash në territorin e saj është në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit ose jo.
Sipas sekretares gjenerale, Olivera Filipovska, anëtarët e kësaj gjykate me shumicë votash kanë hedhur poshtë iniciativën, duke u mbështetur në nenin 28, paragrafi -1- të rregullores dhe sqarimin se akti konkret i kontestuar nuk i përmban elementet juridike që përcaktojnë normën si të përshtatshme për të dhënë vlerësimin e saj Gjykata Kushtetuese.
Iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Komunës së Butelit për vendosjen e kryqit është dorëzuar në mars të këtij viti nga kryetari i Strugës, Zijadin Sela. Arsyetimi i tij është se për t’u marrë një vendim i tillë duhej respektuar parimi i badenterit, të cilin kryetari i Komunës së Butelit nuk e ka marrë parasysh.
Ndërkohë në interesimin e gazetarëve nëse Gjykata Kushtetuese së shpejti do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale, ata kanë refuzuar të japin sqarime lidhur me këtë çështje. Nga kjo gjykatë gjithashtu nuk deshën të shprehen nëse një shqyrtim i tillë do të ndodhet në rend dite përpara se të shpërbëhet kuvendi apo jo. (Naim Ramadani, TVM2)
