Ekonomi
Diskutohet buxheti 2017, fillon debati në Komisionin për financa dhe buxhet
28.09.2016 17:32
Në Komisionin për financa dhe buxhet filloi debati rreth propozim buxhetit të vitit 2017...

Ministri i Financave, Kirill Minovski, e quajti të njëjtin buxhet me nivele rekorde, ku të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar prej 187,6 miliardë denarësh, që është për 7,6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2016.
Deficiti buxhetor është paraparë të arrijë 3 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht 18,6 miliardë denarë. Investimet kapitale janë planifikuar në 26,95 miliardë denarë.
“Në përputhshmëri me pritjen e lëvizjes së kërkesave të brendshme dhe parashikimeve ndërkombëtare ekonomike, projeksioni për rritje ekonomike për vitin 2017 sjell rritje prej 3 për qind në BPV”,- deklaroi ministri i Financave, Kiriill Minovski.
LSDM thotë se buxheti është me projeksione të fryra në mënyrë shumë optimistike, të cilat nuk do të realizohen. Por, nga VMRO kundërpërgjigjen se buxheti është i mirëpërpiluar me shifra të realizueshme dhe akuzojnë LSDM-në se gjithmonë dëshiron të fitojë pikë politike me tezat e njëjta.
“Ana e të ardhurave është e paraqitur rrejshëm, është e fryrë shumë dhe nuk mundet që ta realizoni. Anën e të ardhurave e zmadhoni prej 218 milion euro, vetëm që të mundeni të tregoni në anën e shpenzimeve më shumë investime kapitale dhe deficit më të vogël, megjithatë realiteti nuk është ashtu. Qytetarët e Maqedonisë po jetojnë në varfëri”,- tha Marijonço Nikollov nga LSDM.
“Nga viti 2008 e deri më sot i keni tezat e njëjta, nëse e mbani mend edhe në 2008 thoshit se buxheti është një fontanë dëshirash, përmendnit inflacionin, flisnit për harxhimin e rezervave devizore, ja u rregulluan. Për investimet e huaja duhet bërë një krahasim, nëse në vitin e fundit të qeverisjes tuaj ka pasur 77 milion euro investime të huaja, vetëm në periudhën e kuartalit të parë të këtij viti kemi mbi 125 milion euro investime”,- tha Kërsto Mukovski nga VMRO-DPMNE.
Nga partia shqiptare në opozitë këtë buxhet e kanë quajtur si diskriminues për shqiptarët, për shkak se, sipas tyre, edhe këtë vit parashikohet ndarja e mjeteve vetëm në vendet kur graviton etniteti maqedonas.
“Ky projeksion buxhetor me mekanizma institucionale favorizon thellimin e jazit të mirëqenies ekonomike të qytetarëve të RM-së në baza etnike, duke favorizuar grupin etnik dominues në shtet maqedonasit dhe duke trajtuar këtë grup si potencial ekonomik normal, por kosto të trajtimit të shqiptarëve si grup etnik me potencial ekonomik inferior”,- theksoi deputeti i PDSh–së, Gazmend Aliji.
BDI bojkotoi debatin në Komision me arsyetimin se nuk është respektuar rregullorja. Sa i përket buxhetit, deputeti, Rexhail Ismaili, tha se buxheti i vitit 2017 është i balancuar dhe proporcional.
“Proporcionaliteti i buxhetit parashihet tek bllok dotacionet, kurse sa i përket balancimit është tek investimet kapitale. Projektet e programit të BDI-së në buxhetin 2017 kapin shifrën prej 1.659.000.000 denarë dhe kjo është ajo për të cilën themi se në një farë forme ky propozim buxhet, si edhe buxhetet paraprake, është i balancuar deri diku në aspekt të investimeve kapitale”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
Debati në Komisionin për financa dhe buxhet pritet të vazhdojë nesër.
ERSAN PAJAZITI
