Maqedoni

Bashkëpunimi Shqipëri–Maqedoni, Halili dhe Elezi vizitojnë Tiranën zyrtare

28.09.2016 17:55

Zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Festim Halili, dhe ministrja e Pushtetit Vendor, Shiret Elezi, kanë qëndruar sot në Tiranë, ku kanë zhvilluar takime të shumta...

Në takimin me kryeparlamentarin, Ilir Meta, u diskutua rreth krizës politike në Maqedoni. Meta theksoi se Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar, i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve tona.

Zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë, e cila është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjata të ndërlidhjes rajonale.

Stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë, u potencua në takim.

Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit, të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Halili, nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore, si Korridori 8, janë vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve.