Botë

Shqipëri, reforma në drejtësi, miratohet paketa financiare

28.09.2016 17:57

Reforma në drejtësi ka arritur në hapin e parë kryesor të saj, miratimin e fondit shtesë, që do të përdoret për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve...

Ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, menjëherë pas mbledhjes me dyer të mbyllura të qeverisë ka publikuar shifrën 1,8 miliardë lekë, që do të bëjë të mundur kostot që do të pasojnë nga futja në zbatim e reformës në drejtësi.
 
“Paketa kaloi e plotë me një kosto financiare të domosdoshme prej 1.8 miliardë shtesë në funksion të të gjitha elementeve që duhen përmirësuar në drejtësinë shqiptare, kuptohet në formatin financiar që i referohem unë. Paketa ka të bëjë me rritjen e pagave, rritjen e numrit të punonjësve dhe mbi të gjitha me koston e ngritjes të institucioneve të reja që janë referuar në të gjithë paketën kushtetuese të reformës në drejtësi”,- deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
 
Sipas parashikimeve, kryetari i Gjykatës së Lartë do përfitojë një rrogë prej rreth 2 mijë eurosh në muaj, dhe afërsisht kaq edhe prokurori i përgjithshëm. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët do të përfitojnë pagë rreth 1500 euro në muaj.
 
LULJETA NDOKA