Maqedoni

Kumanovë, këshilltarët shqiptarë bllokojnë programin vjetor në shkollën e muzikës

28.09.2016 18:04

Këshilltarët shqiptarë të Kumanovës të të tria partive shqiptare, BDI, PDSh e RDK pamundësuan sot miratimin e raportit dhe programit vjetor...

Këshilltarët shqiptarë të Kumanovës të të tria partive shqiptare, BDI, PDSh e RDK pamundësuan sot miratimin e raportit dhe programit vjetor për punën e Shkollës së Muzikës “Pançe Peshev” për vitin shkollor 2016/17, për arsye se kjo shkollë nuk i ka bërë ndryshimet statutare komform ligjit, me të cilët mundësohet hapja e paraleles në gjuhën shqipe. Këtij akti të këshilltarëve shqiptarë i parapriu një debat i gjerë.
 
“Unë do ta kisha lutur përkthyesin për një moment ta ndërpresë përkthimin dhe të vazhdojë të flas shqip, dhe ta shohim se ju a do të mundeni të më kuptoni ku normal jeni të moshës së rritur, dhe prisni nga fëmijët 7 vjeçarë të mësojnë teori në gjuhën maqedonase, ku ata ndoshta as nuk dinë të përshëndeten në atë gjuhë”,- deklaroi këshilltarja e BDI-së, Vlora Ymeri.
 
“Besoj se kjo e drejtë e jona është e pakontestueshme që të kemi një paralele në gjuhën shqipe në këtë shkollë fillore të muzikës, si grup këshilltarësh të PDSh-së nuk do të votojmë as raportin e punës dhe as programin e kësaj shkolle”,- tha këshilltari i PDSh-së, Besnik Mehmeti.
 
“Edhe këtë vit nxënësit shqiptarë nuk arritën të fillojnë me mësim në gjuhën shqipe, një e drejtë elementare të cilën ua garanton Kushtetuta dhe ligjet e RM-së. Edhe unë personalisht si këshilltar i RDK-së nuk do ta përkrah këtë program deri sa nuk zgjidhet kjo çështje”,- theksoi këshilltari i RDK-së, Zenun Ismaili.
 
Më pas, këshilltarët shqiptarë sollën edhe një konkluzë me të cilën obligohen kryetari i Kumanovës dhe drejtoria e shkollës së muzikës që të gjejnë rrugë ligjore për tejkalimin e të gjitha barrierave për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe.
 
“Bashkërisht si këshilltarë të BDI-së, PDSh-së dhe RDK-së, të implementojmë një konkluzë me të cilën detyrohen kryetari i Komunës dhe drejtoria e shkollës që të bëjnë ndryshime statutare në shkollë, konkretisht në nenin 9, paragrafi 2, që edhe etnitetet tjera që janë mbi 20 për qind të ndjekin mësimin në gjuhën amë”,- u shpreh koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Ridvan Hasani.
 
Gjatë gjithë diskutimeve këshilltarët e të gjitha partive në këshill ishin pro hapjes së paraleles në gjuhën shqipe.
 
NEXHAT AQIFI