Maqedoni
MPB: Ka kapur 300 kilogram marihuanë
15.04.2014 18:10
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërprerë një kanal ndërkombëtar për transport të marihuanës nga Shqipëria...
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërprerë një kanal ndërkombëtar për transport të marihuanës nga Shqipëria, me ç'rast arrestoi tre shtetas të Maqedonisë, dy prej të cilëve janë polic. Në këtë aksion janë sekuestruar rreth 300 kilogram marihuanë.
Siç informuan nga MPB, bëhet fjalë për marihuanë të cilësisë së lartë, e cila dyshohet se vjen nga Shqipëria dhe me varkë është transportuar në mënyrë ilegale në Maqedoni, ndërsa ka qenë e destinuar për tregun evropian.
“Droga e sekuestruar do të arrinte çmim mes një dhe dy milion dollarësh në narko-tregun e Evropës Perëndimore, për ku edhe ka qenë e destinuar, marihuana duhej që për kompensim në para prej 9 mijë euro të transportohej së pari deri në Kavadar”, deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
MPB bëri të ditur se arrestimet janë bërë dje në afërsi të fshatit Radozhd të Strugës, ku nëpunësit policorë kanë arrestuar dy persona nga Kërçova në moshën prej 33 deri në 42 vjeçare. Prej tyre njëri është nëpunës policor në stacionin e policisë për sigurim të kufirit shtetëror Strezimir, i cili ka marrë instruksione prej një nëpunësi tjetër policor nga kalimi kufitar.
Pas zbardhjes së tërësishme të rastit, nga ana e Sektorit për Tregti Ilegale me Drogë, do të parashtrohet padi penale në Prokurorinë Themelore të Shkupit, për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit për vepër të kryer penale, prodhim i palejuar dhe lëshim në përdorim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve.
HAMIDE IBRAHIMI
