Botë
ShBA dhe Rusia mund të ndërpresin bashkëpunimin për Sirinë
29.09.2016 12:57
SHBA-të nëpërmjet sekretarit të shtetit, John Kerry, janë kërcënuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me Rusinë lidhur me Sirinë...

SHBA-të nëpërmjet sekretarit të shtetit, John Kerry, janë kërcënuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me Rusinë lidhur me Sirinë, derisa Moska dhe aleatët e saj sirianë nuk e ndalin sulmin ajror kundër qytetit Alepo.
Departamenti amerikan i shtetit njoftoi se këtë ultimatum Kerry e ka paraqitur te kolegu i tij rus, Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, tha se Uashingtoni përgatitet për “pezullimin e angazhimit bilateral ShBA–Rusi për Sirinë, derisa Rusia nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për ndaljen e sulmit në Alepo”.
Por, Rusia ka vlerësuar se deklarata e ShBA-ve për Sirinë “është e barazvlefshme me mbështetjen e terrorizmit”.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i përshkroi komentet si “shpërthim emocional”.
Ai po ashtu tha se Moska propozon “pauzë humanitare” 48-orëshe në Alepo.
