Botë
ShBA, i mituri vret babanë, plagos dy nxënës dhe mësuesen
29.09.2016 14:39
Një adoleshent 14 vjeçar në Toënville të Karolinës së Jugut vrau të atin në shtëpinë e tyre e më pas u drejtua në shkollën fillore në afërsi të tyre ku plagosi dy nxënës dhe një mësuese...

Sulmuesi nuk arriti të hyjë në shkollë pasi një zjarrfikës e ndaloi para se të arrijë policia. Adoleshenti u arrestua, ndërsa nxënësit dhe mësuesja e plagosur janë transferuar menjëherë në qendrën e traumës.
“Morëm një telefonatë për një person i cili gjuante me armë zjarri. Policia ishte në vendin e ngjarjes dhe kapi agresorin. Ishte një reagim i shpejtë dhe arritëm ta kontrollojmë situatën. Një nga studentët u qellua në këmbë, tjetri në shputë, ndërsa mësuesja në kraharor”,- deklaroi kryeshefi i Policisë, Garland Major.
“Jam mirë kur fëmijët e mi janë mirë, i falënderohem Zotit. Vetëm lutem për fëmijët tjerë. Nuk di saktësisht çfarë ka ndodhur”,- theksoi një prind.
Një nga të plagosurit, fëmijë gjashtë vjeçar, është në gjendje kritike. Nxënësi tjetër dhe mësuesja 47 vjeçare kanë pësuar lëndime më të lehta dhe pas kontrollit mjekësor janë dërguar në shtëpi.
Shkolla fillore ka rreth 280 nxënës dhe 30 pjesëtarë të stafit akademik. Zyrtarët kanë thënë se nuk kanë dëshmi se sulmi kishte ndonjë lidhje me terrorizmin apo racizmin.
LEUNORA KALIQI
