Botë
Sudan,qeveria dyshohet se përdori armë kimike, dhjetëra fëmijë në mesin e mbi 200 viktimave
29.09.2016 15:17
Dhjetëra fëmijë në Darfur dyshohet se janë vrarë nga armët kimike, të cilat janë shkrepur mbi ta nga forcat qeveritare të Sudanit...

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” tha se fëmijët janë në mesin e mbi 200-250 personave, që llogaritet se janë vrarë nga armët kimike, qysh në muajin janar.
Të prekurit nga “tymi helmues” vjellin gjak, kanë vështirësi në frymëmarrje dhe u bie lëkura.
“Shkalla e brutalitetit e këtyre sulmeve është e vështirë të thuhet me fjalë. Imazhet dhe videot që kemi parë në rrjedhën e hulumtimit tonë janë me të vërtetë tronditës, në njërën një fëmijë i vogël, i cili ulërinte me dhimbje para se të vdesë, ndërsa në shumë foto tjera duken fëmijët e vegjël të mbuluar me plagë dhe flluska. Disa nga ata vështirë merrnin frymë dhe villnin gjak”,- deklaroi drejtori i “Amnesty International”, Tirana Hassan.
Hassan thotë se është e vështirë të ekzagjerohet se sa të tmerrshme janë efektet e këtyre kimikateve kur ato vijnë në kontakt me trupin e njeriut.
Armët kimike janë të ndaluara për shkak të nivelit të dhembjes dhe vuajtjes që shkaktojnë te njerëzit, gjë që nuk mund të arsyetohet.
Fakti që qeveria sudaneze në vazhdimësi po përdor ato kundër popullatës së vet, nuk mund të injorohet. Por, qeveria e Sudanit thotë se akuzat janë të pabaza. Qeveria në Khartum dhe rebelët janë duke luftuar në rajonin Darfur tashmë 13 vjet.
LEUNORA KALIQI
