Maqedoni
Kërçovë, studim për modernizimin e Termocentralit të Osllomesë
29.09.2016 16:21
Prezantimi për modernizimin e Termocentralit të Osllomesë parasheh masat e uljes së ndotjes...

Prezantimi për modernizimin e Termocentralit të Osllomesë parasheh masat e uljes së ndotjes, mënyrën e transportit të qymyrit nga vendet e treta dhe cilësinë e tij, i cili do të ulë edhe përmasat e misioneve të gazrave.
Sipas këtij studimi, Termocentrali i Osllomesë do të harxhojë rreth 350 mijë ton thëngjill të transportuar përmes linjës hekurudhore apo rrugore dhe nga kjo sasi e lëndës pritet të sigurohen rreth 800 mega vat energji elektrike.
Zëvendësdrejtori i ELEM-it, Fatmir Limani, thotë se Termocentrali i Osllomesë, në mungesë të shtresave të qymyrit, përgjatë tre viteve të kaluara nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë, prandaj këto intervenime që parashihen me këtë projekt janë të domosdoshme.
Pas prezantimit të këtij studimi, ku morën pjesë edhe përfaqësues të komunës së Kërçovës, shoqata joqeveritare dhe ekspertë të kësaj lëmie, u diskutuan shumë çështje që kanë të bëjnë me aspektin ekologjik dhe socio-ekonomik të këtij projekti, i cili, sipas vlerësimeve, do të sigurojë funksionimin e Termocentralit të Osllomesë për 30 vitet e ardhshme.
SHABAN DALIPI
