Maqedoni

“Forumi Ballkanik për Siguri”: Siguria në fokus të programeve të partive

29.09.2016 16:38

Partitë politike do të duhet që t’i japin më shumë hapësirë çështjes së sigurisë në programet e tyre politike dhe ato t’i zbatojnë me përpikëri në favor të stabilitetit dhe ardhmërisë së vendit...

Mesazhi i tillë doli në debatin e organizuar nga Forumi Ballkanik për Siguri, në kohën kur politika po tenton që vendin ta nxjerrë nga kriza me zgjedhjet e dhjetorit. Kryetari i Forumit, Bllagoja Markovski, theksoi se përqendrimi i politikës në sigurinë do ta afronte vendin drejt strukturave euroatlantike.
 
“Në rast se subjektet politike sjellin programe të drejta, duke i zbatuar konkretisht, atëherë Maqedonia do të pozicionohet më afër anëtarësimit në NATO dhe BE. Për momentin kontesti me emrin nuk është arsyeja kryesore, por problemet e brendshme, gjegjësisht kriza politike”,- deklaroi kryetari i “Forumit Ballkanik për Siguri”, Bllagoja Markovski.
 
Por, kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, thotë se siguria duhet të jetë prioritet i partive politike. Trajanov nuk shpreson se do të mbahen zgjedhjet, pasi që po përgatiten skenare për t’u prolonguar.
 
“Është e mundur që zgjedhjet të shtyhen, jo për rejtingun e partive. Kjo do të jetë arsye e fshehtë. Do të kërkohen arsye të tjera. Mund të shfuqizohet Prokuroria Speciale. Mund të vihet në fuqi Ligji për abolim, i cili u soll në kundërshtim më Kushtetutën e vendit. Mund të ketë edhe arsye të tjera, në rast se edhe më tej Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër kreut shtetëror, atëherë kjo mund të jetë bazë për shkaktimin e konfrontimeve të brendshme, trazira qytetare. Të gjitha këto mund të shfrytëzohen për shtyrjen e zgjedhjeve.”,- u shpreh kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.
 
Gjithashtu në debat u tha se vala e re e migrantëve mund të jetë arsye për destabilizim dhe shtyrje të zgjedhjeve. Por, sipas diskutantëve, Maqedonia do të duhet të përballet edhe me këtë fenomen, duke realizuar politika të koordinuara me shtetet fqinje dhe BE-në.
 
MERAL ISMAILI