Maqedoni

Komisioni Europian: Fokusohuni për një proces zgjedhor të besueshëm

29.09.2016 16:58

Bashkimi Europian dhe partnerët e tij me vëmendje e ndjekin zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni...

Bashkimi Europian dhe partnerët e tij me vëmendje e ndjekin zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni dhe presin nga të gjitha forcat politike në vend të fokusohen në sigurimin e një procesi zgjedhor kredibil, që duhet të ndodhë më 11 dhjetor. Këtë sot, në emër të Komisionit Europian, e transmetoi zëdhënësja, Maja Kocijançiç.
 
“Komisioni vazhdimisht thekson se të gjitha kushtet e duhura për zgjedhje të sigurta duhet që të respektohen në periudhën kyçe deri në zgjedhje. Organizimi dhe mbajtja e  zgjedhjeve të tilla kredibile dhe demokratike janë të rëndësishme për vendin që të avancojnë në rrugën euroatlantike. Prandaj, të gjitha forcat politike në vend duhet që të fokusohen në sigurimin e një procesi zgjedhor kredibil, me pengimin e frikësimit të votuesve, me ndarjen e aktivistëve të shtetit dhe të partive, sigurimin e raportimit të ekuilibruar mediatik dhe me ndihmën që të finalizohet Lista zgjedhore”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiç.
 
Edhe në takimin me zëvendëskryeministrin, Arbër Ademi, janë potencuar reformat e domosdoshme. 
 
“Konstatuam se është e nevojshme që në mënyrë më intensive, më agresive, të bëhet implementim i reformave prioritare urgjente dhe implementim i MO-së, si një dokument mjaft i rëndësishëm për RM-në dhe për stabilitetin e vendit”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
 
Në takimin e djeshëm me Ademin, Hahn ka potencuar edhe mbështetjen që i duhet dhënë punës së PSP-së.
 
ERSAN PAJAZITI