Maqedoni
Kuvend, pyetje deputetësh, replika mes pushtetit dhe opozitës
29.09.2016 17:55
Seanca për pyetje të deputetëve filloi me replika mes pushtetit dhe opozitës, me vërejtje procedurale dhe pauza të kohëpaskohshme...

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, madje, ftoi ministrat që të ndjekin shembullin e prokurores speciale, Katica Janeva, dhe të mos u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.
“Nga sot mund të llogaritet gjë normale nëse kryeministri dhe ministrat nuk përgjigjen, ndërsa pyetjet i konsiderojnë mobing dhe lëshojnë mbledhjen në mënyrë demonstrative. Kështu na mësoi një njeri special me mision të tillë, që na tregoi se nuk duhet të përgjigjemi në çdo pyetje”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Pas kësaj këshille, Dimovski kërkoi një orë pauzë, mirëpo opozita maqedonase akuzoi VMRO-DPMNE-në se përmes zvarritjes së seancës përpiqet të shmang pyetjet e opozitës për krimet e pushtetit.
“Qëllimi i ndërprerjes së seancës nga VMRO-ja është që deputetët e opozitës të mos parashtrojnë pyetje që të mos zbulohet e vërteta për gjithë atë që u bë në 10 vitet e kaluara”,- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
PDSh, edhe pse e para pati rastin të parashtrojë pyetje, nuk e bëri një gjë të tillë. Deputetët e kësaj partie akuzuan ministrat dhe deputetët e BDI-së për të gjitha dështimet dhe mosgatishmërinë që të jenë prezentë në këtë seancë.
“Fatkeqësia e shqiptarëve fillon nga këtu, nga kjo sallë, deputet e BDI-së dhe as ministrat e BDI-së nuk janë këtu. Siç duket ata shqetësohen më shumë për procedurat dhe imazhin, por jo edhe për shqiptarët. Nuk bëjnë asnjë përpjekje që të mos realizohet ndonjë projekt antishqiptar. Ne kemi dilemë. Kujt t’i parashtrojmë pyetje?!”,- theksoi Meral Izeiri-Ferati nga PDSh.
Ndërkaq, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, reagoi për mosrespektimin e procedurave në rastin kur një deputete, në seancën për pyetje deputetësh, parashtroi pyetje për kryetarin e Komunës së Strugës. Ai kërkoi që të mos u parashtrohen pyetje institucioneve që nuk përfshihen në institutin Pyetje deputeti.
SHPËTIM NUREDINI
