Maqedoni

Ardhmëria energjetike e EJL-së, alternativa të gjelbra në mbrojtje të ambientit

29.09.2016 18:31

Ndotja e ajrit është shkaktare për vdekjen e 640 personave në vit vetëm në Maqedoni, alarmojnë ambientalistët...

Sektori energjetik është ndotësi më i madh, sidomos industria e thëngjillit. 17 organizata civile nga Europa juglindore kanë përgatitur alternativë për ardhmërinë energjetike në shtetet e Europës Juglindore që mënjanon përdorimin e karburanteve të dëmshëm, duke siguruar energjinë e nevojshme, pa e ndotur ambientin. 
 
“Kur të krahasohen në aspekt financiar, në qoftë se financohet në qymyrgur apo në shfrytëzimin e energjisë elektrike në formë të diellit, efikasitet energjetik, investime në çiklizëm, automjete elektrike dhe kështu me radhë, është shuma përafërsisht e njëjtë, diku rreth 4 miliard euro deri në vitin 2050, do të thotë prej vitit 2010 është bërë përllogaritja për 40 vite”,- deklaroi koordinatorja e “Analitika Tinkl Tenk”, Sonja Ristovska.
 
Maqedonia ka nevojë për furnizim afatgjatë me energji elektrike. Kjo vështirësohet nga sfidat me rezervat e limituara të linjit, infrastruktura e vjetër për prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike, mospërgatitja e sistemeve që të përballen me kërkesat e tregut të lirë energjetik dhe konkurrencës. 
 
“Sfidë e vërtetë mbetet tek qeveria dhe ministritë që duhet të sjellin vendime të rënda politike në periudhën e ardhshme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe përfshirjen e vendit në të gjitha nismat rajonale të cilat implementohen”,- tha përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në shtet, Dragan Malinoivski.
 
Projekti katërvjeçar ka si qëllim të tregojë se alternativat e gjelbra ekzistojnë dhe përmes tyre jo vetëm që sigurohet energjia e nevojshme, por mbrohet edhe ambienti jetësor. 
 
GAZMEND REXHEPI