Botë

Bisedimet e Brexit - Renzi paralajmëron Britaninë për negociata të vështira

29.09.2016 19:29

Kryeministri italian, Mateo Renzi, ka paralajmëruar Britaninë e Madhe se bisedimet e daljes me Bashkimin Europian do të jenë shumë të vështira...

Ai madje ka shkuar më tej, duke u shprehur se Londra do të ketë vështirësi të përfitojë më shumë të drejta se vendet e tjera që ndodhen jashtë Bashkimit Europian. Renzi akuzoi gjithashtu ish-Kryeministrin Cameron se ka përdorur referendumin për të zgjidhur problemet e brendshme në Partinë e tij Konservatore.
 
Do të jetë e pamundur që Britania e Madhe të marrë gjatë bisedimeve të daljes më shumë të drejta se vendet e tjera që tashmë janë jashtë Bashkimit Europian.
 
Kështu ka deklaruar kryeministri italian, Mateo Renzi, i cili ka paralajmëruar se bisedimet do të jenë shumë të vështira, por sipas tij gjithçka do të marrë zgjidhje vetëm pasi Britania të nisë proçedurat e daljes.
 
I pyetur nëse mund të ketë fleksibilitet mbi rregullat e Bashkimit Europian dhe akses në tregun e përbashkët, Kryeministri italian tha se ky është një debat interesant, sepse ky debat do të jetë mbi konceptin e rregullave të BE-së.
 
“Populli britanik ka vendosur rrugën për të ardhmen. Tashmë është në dorën tonë të ndërtojmë aleancën më të mirë mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe në të ardhmen, sepse ne do të jemi miq të ngushtë gjatë viteve qe do të vinë. Në të njëjtën kohë mendoj se ky vendim do të shtyjë liderët europianë të investojnë në mëyrë të re për Europën”.
 
Kryeministri italian tha se diskutimet do të mbahen nga Komisioni Europian dhe jo individualisht nga lideret e vendeve europiane.
 
Gjithësesi ai ka shprehur gatishmërinë për të punuar me homologen e tij britanike Teresa May dhe për ta mbështetur atë në këtë proçes të vështirë.
 
Renzi gjithashtu ka fajësuar ish-kryeministrin britanik David Cameron, i cili sipas tij tentoi të zgjidhë problemet e brendshme të Partisë së tij Konservatore nëpërmjet referendumit.
 
Kryeministri italian ka vendosur mbajtjen e një referendumi në Itali me qëllim ristrukturimin e sistemit parlamentar.
 
Në kohën kur njoftoi lajmin ai deklaroi: “Kur David Cameron vendosi të mbajë një referendum për të zgjidhur problemet e tij të brendshme në parti, ishtë një problem. Ne nuk mund të përdorim punët e jashtme për të zgjidhur problemet e brendshme”.