Maqedoni

VMRO-DPMNE mbajti tubim në Ohër

15.04.2014 18:25

VMRO-DPMNE është takuar mbrëmë me qytetarët e Ohrit për të shpalosur programin e partisë për zgjedhjet e 27 prillit...

VMRO-DPMNE është takuar mbrëmë me qytetarët e Ohrit për të shpalosur programin e partisë për zgjedhjet e 27 prillit. 
 
Banorët treguan se dinë të bëjnë dallim, Ohri dëshmoi se di të respektojë veprat dhe vlerat e vërteta, u tha në tubim. Obligimi ynë është që të krijojmë kushte më të mira për jetë, tha kryeministri Nikolla Gruevski, i cili nga qytetarët kërkoi përkrahje për marrjen e 62 deputetëve dhe një mandat presidencial për Ivanovin.
 
Gjorgje Ivanov dhe VMRO-DPMNE fituan rreth 450 mijë vota, me ç’rast dallimi me LSDM-në është 123 mijë vota. Më vjen mirë që shumica e qytetarëve në Maqedoni kanë përvojë në politikë, që të bëjnë dallim mes atyre që premtojnë dhe realizojnë.
 
Gruevski kundërshtarin politik e akuzoi se me mospranimin e rezultatit zgjedhor ai  mohon vullnetin e shumicës. Sipas tij, arroganca që tregon ai do t’i sjellë edhe më shumë humbje se në të kaluarën.
 
“Shohim se arroganca e Stevo Pendarovskit, i cili gjatë tërë fushatës ofendonte kryetarin Gjorgje Ivanov, u tregua e pasuksesshme. E tërë fushata e tij kishte për qëllim nënvlerësimin e Ivanovit, por edhe përskaj faktit që 450 mijë njerëz përkrahen Ivanovin, sërish ne dëgjojmë deklaratën e tij se Ivanov nuk posedon kapacitet dhe VMRO-DPMNE nuk meriton një përkrahje të tillë. Najçevska tha se të gjithë ata që votuan për Ivanovin, janë me inteligjencë nën mesatare, ndërkohë që tani nga ata do të kërkojnë besimin në rrethin e dytë”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Ndërkohë, kandidati për kryetar Gjorge Ivanov, theksoi se edhe përskaj fushatës joprincipiele, qytetarët votuan  për  Maqedoninë dhe dëshmuan se shteti është në rend të parë. Kjo përkrahje për mua ka rëndësi të madhe dhe e njëjta na jep forcë të vazhdojmë me reformat që i kemi paraparë.
 
“Fushata joparimore që udhëhiqeshte kundër meje, u tregua si e pasuksesshme. Më sulmonin dhe etiketonin pa argumente. Por ata që nuk posedojnë  program dhe projekte pas vetes, zhvillojnë një fushatë të tillë. Por qytetarët treguan se dinë të bëjnë dallime. Këtë e treguan, por do ta dëshmojnë edhe më 27 prill. Vota juaj për Koalicionin për një Maqedoni më të  Mirë, është votë për vazhdimin e reformave dhe për të ardhmen tuaj”, u shpreh kandidati për kryetar shteti i VMRO-së, Gjorge Ivanov.
 
Para banorëve të Ohrit u prezantuan projektet që do të realizohen në periudhën që vjen. Parashihet të rikonstruohet spitali Sv. Erazmo dhe ndërtimi i zonës së re teknologjike industriale. Do të zgjerohen edhe drejtimet studimore të Universitetit “Sveti Apostol Pavle”.
 
Në Ohër do të investojnë dy kompani të mëdha, të cilat do të mundësojnë 1800 vende të reja të punës. Por me rëndësi është që këto investime i shihni dhe në kontinuitet jepni besimin tuaj për këtë ekip.
 
Veprat tona janë më të fuqishme se fjalët. Ligjet, reformat e zbatuara, ndërtimi i rrugëve, investimet e huaja, fabrikat a hapura, flasin për një Maqedoni të suksesshme, u tha në tubimin  e VMRO-DPMNE-së.
 
 
FLUTURA LATIFI