Maqedoni

Universiteti “Nënë Tereza”, pas dy javësh pritet të fillojë punën në godinën e UEJL-së

30.09.2016 14:42

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, me rektor Aziz Pollozhanin, pritet të fillojë punën pas dy javësh pas regjistrimit në regjistrin qendror si subjekt juridik...

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, me rektor Aziz Pollozhanin, pritet të fillojë punën pas dy javësh pas regjistrimit në regjistrin qendror si subjekt juridik, marrjen e lejes së punës nga Ministria e Arsimit dhe përmbylljen e konkursit online për pranim të gjithsej 1220 studentëve. Pollozhani do të ushtrojë detyrën e rektorit për gjashtë muaj. 
 
“Mendoj se do të ishte shumë e logjikshme që të shkohet në këtë mënyrë, me qëllim që të mos krijojmë një komoditet për askënd meqë jemi në një fazë delikate të vetë fillimit të universitetit, është e logjikshme të shkohet me një vend rektor dhe më pas besoj puna do ta tregojë edhe të veten, që pas gjashtë muajsh do të zgjidhet me mandat të plotë apo jo”,- deklaroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
 
Gjithashtu është përzgjedhur dhe senati i universitetit dhe vetëm 45 profesorë nga 170 që kanë konkurruar. Në ndërkohë pritet të hapet edhe konkurs për kompletimin edhe të stafit akademik edhe me 39 të tjerë. Ministri i Arsimit, Lutfiu, arsyeton përzgjedhjen e ligjëruesve, duke hedhur poshtë pretendimet se pjesa e madhe e tyre janë njerëz partiak. 
 
“Janë tre vetë dhe nuk besoj që kjo është pjesa dërmuese e universitetit, megjithatë ne nuk mund t’i ndalim ata profesorë të cilët kanë tituj shkencor që të aplikojnë në një universitet”,- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
                                  
Studentët do të mësojnë në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore deri në ndërtimin e objektit amë, që pritet të fillojë në vitin 2017. Qiranë për shfrytëzimin e godinës së UEJL-së thuhet se do ta paguajë Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. 
                                                                                        
“Stafi menaxherial i Universitetit të Evropës Juglindore e ka paraparë dhe e ka bërë skemën se si do të mundet të gjithë këta të studiojnë në atë godinë. Besoj se nuk është problem i madh për të studiuar në një godinë të përbashkët dhe besoj se ka hapësira të mjaftueshme për të gjithë studentët”,- theksoi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
                                            
Në Universitetin “Nënë Tereza” do të funksionojnë pesë fakultete, edhe atë: Shkencat Sociale, Informatika, Teknologjika, Teknika dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë. Buxheti i universitetit arrin shumën në 80 milion denarë.
 
MERAL ISMAILI