Maqedoni

Veliaj dhe Trajanovski: Tirana dhe Shkupi, “binjakëzohen”

30.09.2016 15:06

Nga sot, Tirana dhe Shkupi do të jenë më afër njëra-tjetrës...

Një marrëveshje binjakëzimi, e nënshkruar mes kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, dhe atij të Shkupit, Koce Trajanovski, synon të çelë një kapitull të ri bashkëpunimi mes kryeqyteteve përkatës të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
 
E ky bashkëpunim do të zbatohet në fushat e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm përmes shkëmbimit të eksperiencave mes dy stafeve. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi mënyrën e qeverisjes lokale nga ana e Trajanovskit dhe shprehu padurimin për të vizituar Shkupin së shpejti.
 
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski, falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe binjakëzimin mes dy qyteteve, si një nga dokumentet më të larta për qeveritë vendore të të dyja vendeve.
 
Më tej, mysafirët nga Maqedonia u njohën edhe në terren me projektet kryesore që po zhvillohen në Tiranë.
 
LULJETA NDOKA