Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Remenski: kujdes dhe respekt për të moshuarit

30.09.2016 16:08

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshë së Tretë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski, vizitoi Qendrën për të moshuar “Nënë Tereza” në Shkup...

Me këtë rast ajo apeloi për kujdes institucional dhe respekt nga ana e shoqërisë për të moshuarit, pasi, siç tha ajo, procesi i plakjes është rrugë në të cilën ecim të gjithë. 
 
“Para së gjithash këtu jemi për të dërguar mesazh tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë, aktorët shoqërorë, se procesi i plakjes është rrugë në të cilën të gjithë ecim dhe kjo rrugë duhet të jetë shqetësim i përbashkët i të gjithë qytetarëve, nuk ka rëndësi nëse jemi bartës të ndonjë funksioni apo institucioni. Por, duhet të gjithë të kontribuojmë për përmirësimin e shërbimeve në vendet ku qëndrojnë gjyshërit tanë”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
 
Në fillim të këtij viti kalendarik, Shoqata e pensionistëve në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, për herë të parë hapën qendër ditore për personat e moshuar në komunën e Sarajit.
 
“Kjo qendër ditore konstatojmë se është mjaft e dobishme, sepse në çdo fillimmuaji përpilojmë program, ku brenda muajit realizojmë 3-4 aktivitete, vijnë mjekë specialistë na mbajnë ligjërata, bëjmë gara në lojëra sportive si në shah, domino etj. Mendoj se është mjaft e dobishme për të mbajtur vitalitetin dhe për të kaluar sa më mirë këtë moshë”,- tha kryetari i Shoqatës së pensionistëve në komunën e Sarajit, Baki Bakiu.
 
Projektet e Kryqit të Kuq, të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë shoqërore të kompanive dhe ndihmën e popullatës në nevojë, kanë gjetur përkrahje edhe nga fondacionet e ndryshme. 
 
“Ky projekt  për personat e moshës së tretë është mbështet me qëllim që t’i mundësohet kësaj kategorie të marrin ndihmën e cila është e nevojshme për këta persona. Personat e moshës së tretë, të cilët janë të palëvizshëm në shtëpitë e tyre dhe kanë nevojë për një krah ndihmë, vullnetarët që janë në këtë qendër ju japin shërbimet e veta, ndërsa personave të tjerë ju mundësohen trajnime të ndryshme dhe shoqërim”,- theksoi drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Albis”, Eni Idrizi.
 
 Personat e moshës së tretë nuk trajtohen vetëm në këtë qendër ditore, por shërbimi për ta bëhet edhe nëpër shtëpi.   
                                                                            
“Shkojmë në terren nëpër shtëpia, i ndihmojmë personat më të moshuar që nuk kanë mundësi dhe janë në gjendje financiare të rënda, unë jam motër medicinale dhe më pas tensionin, më pas diabetin dhe ju ndihmojmë me barna, pra çdo mbarim të muajit ju dërgojmë barna”,- u shpreh motra medicinale në Kryqin e Kuq, Merita Ibrahimi.                                                                                                                 
Asambleja e përgjithshme e KB-së në dhjetor të vitit 1990 miratoi rezolutë me të cilën 1 tetori shpallet si Ditë Ndërkombëtare e Personave të Moshuar.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU