Ekonomi
Propozim buxheti, PDSh dhe BDI shkëmbejnë akuza
30.09.2016 17:45
Me akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës ka kaluar seanca e sotme në Komisionin për financa dhe buxhet, ku po debatohet propozim buxheti i vitit 2017...

Nga PDSh thonë se përderisa në komunat maqedonase investohet për projekte joprofitabile dhe luksoze, shqiptarët ende përballen me nevojat themelore për jetesë, si uji për pije dhe kanalizimet.
“Si mund të mendojë deputeti i Sllupçanit njësoj si ministri i VMRO-së, kur ky deputet e voton dhe e përfundon projektin “Makedonsko Etniçko Sello”, dhe pastaj ky deputet që mendon si ministri i VMRO-së nuk është në gjendje të përkrah amendamentin e PDSh-së për 100 mijë euro që Sllupçani të ketë ujë për pije. Ky buxhet në bazë të analizave të ekspertëve 97% të këtyre mjeteve shkojnë për projekte monoetnike maqedonase dhe në vendbanimet maqedonase”,- theksoi Ernad Fejzullahu nga PDSh.
Por, nga BDI thonë se PDSh flet pa analiza. Buxheti, sipas tyre, është deri diku proporcional, pasi që ndarja e bllok dotacioneve nëpër komunat shqiptare arrin diku në 27% të mjeteve të përgjithshme.
Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, theksoi se BDI ka realizuar projekte nëpër të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët.
“Sa i përket Sllupçanit dhe sllupçanasve dhe të gjithë territoreve shqiptare nga Sopoti e deri në fshatin e fundit në komunën e Resnjës, Manastirit dhe Dollnenit, ata japin vlerësimin nga viti 2002 e deri më sot, dhe gjithnjë ka rezultuar që BDI ka marrë 2/3 e votave. Ndoshta nuk jemi në nivel të të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për momentin tua realizojmë, por të gjitha projektet që janë realizuar deri më tani kanë një vulë, e ajo është vula e BDI-së”,- theksoi Rexhail Ismaili nga BDI.
Në propozim buxhetin e vitit 2017 të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar prej 187,6 miliardë denarësh. Deficiti buxhetor është paraparë të arrijë në 3 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht në 18,6 miliardë denarë. Investimet kapitale janë planifikuar deri më 26,95 miliardë denarë.
ERSAN PARAZITI
