Maqedoni
Shkupi nikoqir i AP të OSBE-së
30.09.2016 18:15
Rajoni, posaçërisht Maqedonia, e njeh mirë rolin pozitiv të OSBE-së dhe leksionin se vetëm me vlerat që promovon kjo organizatë mund të ndërtohen shtete stabile...

Rajoni, posaçërisht Maqedonia, e njeh mirë rolin pozitiv të OSBE-së dhe leksionin se vetëm me vlerat që promovon kjo organizatë mund të ndërtohen shtete stabile, por edhe rajon stabil, tha gjatë hapjes solemne të sesionit vjeshtor të AP të OSBE-së kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski.
Por, sipas tij, këto parime janë shkelë në kontekst me Maqedoninë dhe për këtë arsye vendi nuk është as anëtar në NATO dhe as ka filluar bisedimet me BE-në.
“Republika e Maqedonisë, pikërisht për shkak të mosrespektimit të disa parimeve të OSBE-së, por edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, mungesën e parimeve e ka ndjerë në kurrizin e saj si padrejtësinë më të madhe. Madje, për shkak të mosrespektimit të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, u bllokuam në realizimin e përcaktimit tonë për anëtarësim në NATO, edhe pse i plotësuam të gjitha kushtet. E njëjta ndodh edhe me fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.
Përderisa kryetari i Kuvendit fajin për ngecjen e vendit e adresoi jashtë kufijve, nënkryetarja e Kuvendit, Renata Deskovska, iu referua krizës politike dhe institucionale në vend.
Sipas saj, mbajtja e sesionit vjeshtor të AP të OSBE-së në Shkup është me rëndësi të posaçme, që vendi të kthehet në rrugën e duhur, në rrugën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike dhe ripërtëritjen e parimeve demokratike të sundimit.
“Posaçërisht dua të theksoj rolin e AP të OSBE-së dhe ODIHR-së në mbështetjen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe presim që ata të kenë rol aktiv në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në RM, që duhet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti”,- tha nënkryetarja e Kuvendit të RM-së, Renata Deskoska.
Ndërkaq, kryetarja e AP të OSBE-së, Kristinë Mutonen, përmendi angazhimin e kësaj organizate në rajon, përfshirë edhe Maqedonisë në promovimin e paqes dhe sigurisë. Mutonen theksoi se edhe vendet e rajonit duhet t’i plotësojnë obligimet ndërkombëtare, ndërsa sfidat e reja janë një arsye më shumë.
“Këtu në Europën Juglindore OSBE ka bërë një dallim të madh për jetën e shumë njerëzve nga promovimi i paqes dhe sigurisë deri tek mbështetja për reforma juridike dhe për politika më të mira sa u përket zgjedhjeve; nga trajnimi i policisë e deri te nxitja e dialogut multietnik. Lista e arritjeve të OSBE-së në këtë rajon është e gjatë dhe impresive. Ky rajon ka treguar se sa progres mund të arrihet kur ekziston një vullnet i vërtetë që të plotësohen obligimet ndërkombëtare, kur më së miri shfrytëzohet OSBE-ja dhe mjetet e saj unike, përfshirë edhe vetë AP”,- theksoi kryetarja e AP të OSBE-së, Kristinë Mutonen.
Në pjesën punuese të sesionit vjeshtor të AP të OSBE-së do të diskutohet rreth përforcimit të masave për ndërtim të besimit dhe sundimit të mirë në rajonin e OSBE-së dhe për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe të drejtat e njeriut në EJL dhe rolin e OSBE-së. Në spikamë do të jetë edhe kriza e migrantëve dhe refugjatëve dhe ballafaqimi me ekstremizmin.
SHPËTIM NUREDINI
