Ministri Driton Kuçi priti një delegacion nga Kuvendi i Shqipërisë
Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi dje ka pritur një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë...

Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi dje ka pritur një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga deputetë që janë anetarë të Komisionit për tregëti dhe ekonomi Fatmir Toçi, Artan Gaçe dhe Arben Çuko.
Gjatë takimit, njofton Ministria e Ekonomisë, u konkludua se bashkëpunimi ekonomik por edhe politik mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë është i shkëlqyer, ndërsa u diskutuan mënyrat e avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve.
Ministri Kuçi informoi se mes dy vendeve janë duke u realizuar apo janë në plan për realizim një sërë projektesh infrastrukturore dhe energjetike, si janë ndërtimi i autostradës së re nga Kërçova në Ohër, një investim prej 374 milion eurosh, që është duke u realizuar me intensitet të madh, ndërtimi i linjës hekurudhore në Korridorin 8 me Shqipërinë, një linjë krejtësisht e re mes Kërçovës deri në kufirin shqiptar që parasheh të lidhet me qytezën e Linit në Shqipëri me një gjatësi prej rreth 63 km, zhvillimi i sistemeve të gazpërçuesve të dy vendeve si dhe projekti largpërçuesi interkonektiv 400 kV Manastir – Elbasan.
Ministri Kuçi, gjithashtu njoftoi se gjatë vizitës që realizoi muaj më parë në Shqipëri kishte takime shumë të frytshme me katër ministrat që janë përgjegjës për bashkëpunimin ekonomik rajonal. (mia.mk)
