Komisioni për financa dhe buxhet, shëndetësia shkas për akuza të ndërsjella
Fusha e shëndetësisë ka qenë një prej temave në debatin për propozim buxhetin e vitit 2017....

Fusha e shëndetësisë ka qenë një prej temave në debatin për propozim buxhetin e vitit 2017 në komisionin për financa dhe buxhet, ku deputetët kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra tjetrës.
Deputetët nga rradhët e opozitës kërkuan që të hiqet participimi nëpër spitale për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Arsye e kësaj kërkese sipas LSDM-së opozitare është se pjesa më e madhe e popullatës në Maqedoni jeton në varfëri.
“Si opozitë kemi dorëzuar amendamente, përkatësisht duam të intervenojmë në buxhetin, duke propozuar me amandement që të hiqet participimi spitalor për të gjithë qytetarët. Kërkojmë që të gjithë qytetarët të mjekohen falas nëpër spitale, duke pasur parasysh faktin se deri më tani ka pasur numër të madh të të siguruarve, të cilët për arsye të ndryshme janë liruar nga pagesa e participimit spitalor” – deklaroi Jagoda Shahpanska nga LSDM.
Këtë kërkesë pushteti e ka quajtur si populizëm. Sipas tyre nuk ka nevojë që të lirohen nga pagesa personat të cilat kanë rroga të larta.
“Domethënë ju doni ti lironi edhe deputetët të cilët marrin rrogë të madhe, doni ti lironi edhe drejtorët, biznesmenët, domethënë të gjithë, e kjo është populizëm. Ne kemi marrë shumë masa për të liruar të gjithë ato që kanë nevojë të jenë të liruar nga pagesa” – tha Momçillo Avramovski nga VMRO – DPMNE.
“Ekziston kuptohet kategorizimi i cili është bërë dhe dihet se cilët qytetarë janë të liruar. Në fakt kemi qytetarë të cilët janë me paga të larta dhe pse ata të jenë të liruar, kuptohet ato mjete të cilat do ti kishim marrë nga participimi do ti mbledhim dhe do ti dërgojmë aty ku kemi nevojë për përmirësimin e cilësisë” – u shpreh Mirsada Emini Hasani nga BDI.
Propozim buxheti I vitit 2017 është projektuar në bazë të projeksionit për rritje ekonomike për 3%, të ardhurat e përgjithshme janë planfikuar në nivel prej 187,6 miliardë denarësh që është për 7,6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2016. Shpenzimet e përgjithshme janë në nivel prej 206,22 miliardë denarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
