De Biasi shpall listën, befason mungesa e Gashit

01.10.2016 17:43

Kombëtarja shqiptare do të zbresë sërish në fushën e lojës në 6 dhe 9 tetor për t'u përballur me Lihtenshtejnin dhe Spanjën...

Kombëtarja shqiptare do të zbresë sërish në fushën e lojës në 6 dhe 9 tetor për t'u përballur me Lihtenshtejnin dhe Spanjën për eliminatoret e boterorit Rusi 2018.

Trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi, gjate dites se sotme zbuloi listën e të grumbulluarve për këto përballje ku spikasin emrat e Latifit dhe Grezdës, të cilët bëhen pjesë e Kombëtares për herë të parë, ndërkohë që u rikthye pas një kohe shumë të gjatë edhe Llullaku.

Përsa i përket pjesës tjetër i vetmi ndryshim është lënia jashtë e Gashit, edhe përkundër formës të mirë të cilën po e kalon ai në SHBA dhe vendin e të cilit e ka marrë sulmuesi i Peskarës, Rei Manaj.

Në Konferencën e mbajtur për shtyp me këtë rast trajneri De Biasi theksoi se ka vendosur të thërrasë në skuadër futbollistë të rinj dhe ata që i përshtaten projektit të tij.

“Kam folur këto ditë me Gashin , ishte i gatshëm të vinte për këto ndeshje, por bëra zgjedhje të tjera. Kam afruar të rinj si Manaj, Grezda e Latifi, të rinj për të ardhmen. Unë zgjedh lojtarë të përshtatshëm për projektin. Duhet të shohim se si mund të integrohen në grup këta djem, të shohim nëse mund të investojmë për të ardhmen, përgjigjet duhet t’i japin në fushë. I kemi lënë U-21 kush mund të rrinte, si Strakosha, për këtë ndeshje të fundit. Për të tjerët, nëse është e mundur, i aktivizojmë, edhe në të ardhmen, ndoshta nuk ka hapësira, por të shohim.” ka thënë De Biasi.

Tekniku 60 vjeçar shtoi se rruga drejt Botërorit të Rusisë do të jetë e gjatë dhe se skuadra e tij duhet t'i përgatisë mirë sfidat. Përsa u përket përballjeve të radhës, De Biasi theksoi se si ajo me Lihtenshhtejnin ashtu dhe ajo me Spanjën janë të rëndësishme, por në këtë moment fokusi i të gjithë lojtarëve është te sfida e 6 tetorit.