Shkupi fitues i derbit kryeqytetas të futsallit

01.10.2016 17:55

Ekipi i Shkupit ka dalë fitues në derbi ndeshjen e javës së tretë në elitën e futsalit vendor...

Ekipi i Shkupit ka dalë fitues në derbi ndeshjen e javës së tretë në elitën e futsalit vendor duke mundur rivalin lokal, Juventus Seravën me rezultatin 3:2.

Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën “bardhekaltërit” dëshmuan cilësi të lartë kundrejt një kundërshtari të fortë që avansoi i pari me golin e shënuar nga Reshat Ali në minutën e 7-të. Shkupi deri te barazimi erdhi në minutën e 18-të me anë të përforcimit më të ri të tyre, Ylber Alilit, i cili u përkujdes për festë në anën e kaltërt të palestrës “Enver Idrizi” e cila mbrëm ishte e mbushur përplot me tifoz të të dyja palëve.

Pjesa e dytë filloi më mirë për Shkupin që për herë të parë avansoi në minutën e 24-të me golin e Erol Dalip, ndërsa kumanovari Ylber Alili edhe njëherë tjetër doli në skenë, kësaj rradhe në minutën e 36-të kur shënoi një super gol nga distanca në momentet kur Juventus Serava vendosi të luajë me 5 lojtarë në parket.

Një minutë para fundit të ndeshjes, “bardhezinjtë” me anë të Jakup Ramadanit arritën të ngushtojnë rezultatin në 3:2, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë.

Falë kësaj fitore Shkupi mban hapin me Velesin, me të cilën skuadër së bashku kanë nga tre fitore pas tre xhirove të para, ndërsa Juventus Serava me 6 pikë renidtet menjëherë pas tyre. (futsalShkupi)