Tiranë, protestë kundër ligjit për importin e mbetjeve

01.10.2016 18:01

‘T’u themi jo plehrave!’ është motoja e protestës së sotme të cilën e organizoi Aleanca Kundër Importit të Plehrave....

‘T’u themi jo plehrave!’ është motoja e protestës së sotme të cilën e organizoi Aleanca Kundër Importit të Plehrave dhe shoqëria civile.

Mijëra protestues paqësisht përpara Kryeministrisë, i kërkuan qeverisë shqiptare ta rikthejë ligjin për importin e mbetjeve. Për 60 minuta, protestuesit lëshuan thirrjet e tyre për Qeverinë dhe deputetët.

Simboli i protestës ishin qese me plehra dhe kartonë të kuq që protestuesit mbanin në duar, në shenjë kundërshtimi ndaj ligjit të kaluar në Kuvend për importin e mbetjeve. Protesta nisi simbolikisht nga Monumenti i Pavarësisë tek Parku Rinia për të përfunduar përpara dyerve të Presidencës, me thirrjen drejtuar kreut të shtetit për të mos lejuar kalimin e ligjit.  494 punonjës policie mbikqyrën marshimin, duke rrethuar Kryeministrinë, ndërsa një kordon me police femra qëndronte përpara protestuesve. 

Protestuesit paralajmëruan se kjo nuk do të jetë protesta e vetme. Ndërkohë ka reaguar kryeministri Edi Ram, në  rrjetet sociale ndaj protestës së sotme kundër ligjit të importit të mbetjeve.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai thotë se ligji i shërben pikërisht një Shqipërie më të pastër. “Çdo qytetari mes protestuesve sot që mendon se e do Shqipërinë më të pastër se unë i them:Je gabim! Ligji i shërben pikërisht qëllimit tënd!”, shkruan Rama. (Ersan Pajaziti, TVM2)