Maqedoni

PDSH mbajti tubim në Kondovë të Sarajit

15.04.2014 18:51

Partia Demokratike Shqiptare tubimin e radhës ku prezantoi kandidatët e saj për deputet...

Partia Demokratike Shqiptare tubimin e radhës ku prezantoi kandidatët e saj për deputet, e realizoi mbrëmë para banorëve të Kondovës.
 
Në këtë tubim, bartësi i listës së deputetëve të njësisë së parë zgjedhore, Bekim Fazliu, para të pranishmëve tha se edhe përkundër tentativave për bojkot nga oponenti politik, 40.000 votuesit e PDSH-së treguan se janë bërë mburoja e vlerave demokratike dhe  po këta votues dhe përkrahës të Partisë Demokratike Shqiptare më 27 prill do të sjellin 120.000 vota në konton e PDSH-së.
 
Sipas Fazliut,  40.000 votuesit e PDSH-së nuk u bënë pre e kërcënimeve dhe shantazheve dhe ishin pikërisht këta 40 mijë votues që u bënë dëshmi se si mbrohet interesi kombëtar. Sipas Fazliut, me këta 40.000 votues të Partisë Demokratike Shqiptare, me 27 prill do t’i thuhet lamtumirë padrejtësive të BDI-së.
 
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, para simpatizantëve në këtë tubim, tha se Partia Demokratike Shqiptare nuk mban standarde të dyfishta dhe se kërkesat e PDSH-së dhe të shqiptarëve janë shumë të qarta, të cilat janë: Parlamenti dy dhomësh, ndarja e buxhetit të shtetit sipas kontributit të vërtetë që shqiptarët japin në këtë buxhet, zyrtarizimi i vërtetë i gjuhës shqipe,  si dhe ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë, me qëllim të hapjes së rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
 
Për kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi,  fajtore  kryesore për zhvillimin e kësaj politike të dëmshme dhe të vështirë të  deritanishme, është vetëm BDI, e cila sipas Thaçit, i gënjen shqiptarët duke premtuar mijëra vende të reja pune. Deri tani vetëm 3 mijë shqiptarë janë punësuar, ndërsa maqedonasit  kanë 56 mijë punësime, deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në Kondovë. Edhe ata që janë punësuar, janë punësuar duke paguar me mijëra euro për të zgjidhur çështjen e punësimit.
 
Por punësimet nuk e zgjidhin problemin e kombit, ne duhet të godasim aty ku merren vendimet, ka deklaruar lideri i PDSH-së. Ai ka pyetur  liderin e BDI-së se me cilën parti do të hyjë në Qeveri me 28 prill, nëse deri tani deklarohet se nuk e  pranon Ivanovin. PDSH-së i interesojnë vetëm shqiptarët, vetëm kandidatët shqiptarë dhe ne nga këtu dhe në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, duhet të përforcojmë porosinë se fajtorë për situatën në të cilën gjenden aktualisht shqiptarët në Maqedoni, nuk është VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, Nikolla Gruevski.
 
Shqiptarët nuk kanë asnjë trajtim nga shteti të cilit i paguajnë tatime, në vendbanimet shqiptare nuk ka as infrastrukturë, as shëndetësi, as arsim, si ka edhe në vendbanimin më të fundit maqedonas, të mos flasim për kulturën. Ne këto dy javë duhet të bëjmë punën më të madhe kombëtare, t’i largojmë kundërshtarët tanë nga skena politike, ka deklaruar kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Muhamed Thaçi, kandidat i PDSH-së për deputet në njësinë zgjedhore një, kërkoi votën e qytetarëve të Kondovës për të zgjedhur problemet kolektive të shqiptarëve. Jemi këtu para njerëzve që asnjëherë nuk ju frikësuan atyre që na sulmojnë pas shpine.
 
Të dielën thanë që do të kenë ditë të zakonshme vikendi, por kjo nuk ishte e vërtetë, ata dolën me shumë njerëz pas vete dhe me kap-emrat që i fotografonin kur shëtisnin, por do të bëjnë mirë të sqarojnë qytetarët se përse penguan të votojnë ata njerëz që i keni sjellë në këtë gjendje të rëndë sociale, bëjnë mirë të sqarojnë se kush i dha urdhër aktivistëve të tyre për të realizuar aksionin “spiuno kush voton” dhe ishin ata që u dhanë urdhër shqiptarëve të mos votojnë, ndërsa votuan me të madhe kandidatët maqedonas.
 
Është mirë që oponenti ynë të tregojë se ç’farë ka festuar të dielën, ka festuar fitoren e Ivanovit dhe të Pendarivskit. BDI dëshiron të mos ekzistojë një parti kombëtare shqiptare, por ne jemi këtu t’ua prishim këtë plan, tha para të pranishmëve në Kondovë kandidati për deputet i Partisë Demokratike Shqiptare në njësinë e parë zgjedhore, Muhamed Thaçi. 
 
Partia Demokratike Shqiptare sot do të zhvillojë tubim me qytetarët në fshatrat e Tetovës.
 
 
ZEJXHANE OSMANI