Maqedoni
BDI mbajti tubim në Saraj
15.04.2014 18:58
Shqiptarët më 13 prill dëshmuan se ideja e BDI-së për presidentin konsenzual është plebishitare dhe se shqiptarët...

Shqiptarët më 13 prill dëshmuan se ideja e BDI-së për presidentin konsenzual është plebishitare dhe se shqiptarët janë ata që vendosin se kush do të marrë një, një mijë, apo një milion vota në Maqedoni. Kështu kanë deklaruar integristët në tubimin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në komunën e Sarajit, me moton “bashkë më mirë, bashkë më të fortë, bashkë për Evropë”.
Ermira Mehmeti, bartësja e listës në njësinë e parë zgjedhore, është shprehur se vota e shqiptarëve e dhënë për BDI-në, është votë që do t’i sigurojë ardhmëri më të mirë shqiptarëve.
“Ermira Mehmeti nuk e kërkon votën për veten, nuk e kërkoj votën tuaj për mua dhe nuk e kërkoj votën kundër rivalëve politik shqiptarë, ju keni të drejtë absolute që të kërkoni nga unë që bashkë me subjektin tim politik, me BDI, ne të menaxhojmë atë votë për interesin tuaj dhe të mirën tuaj”, deklaroi bartësja e listës së BDI-së në njësinë zgjedhore numër një, Ermira Mehmeti.
Ndërsa kandidatët për deputet të BDI-së nga komuna e Sarajit, para të pranishmëve kanë deklaruar se mbështetjen që vazhdimisht ata ja kanë dhënë BDI-së, ka dëshmuar se deri më tani kanë përkrahur subjektin politik i cili vazhdimisht është marrë me çështjet të cilat kanë siguruar një të ardhme më të mirë për sarajasit dhe për të gjithë shqiptarët në Maqedoni.
Ndërsa deklaruan se kërkojnë mandatin nga këto banorë, që edhe më tej të çojnë përpara proceset kombëtare dhe ndërkombëtare për të cilat të gjithë shqiptarët janë të interesuar.
“Nuk e meriton kreu i PDSH-së votën e shqiptarëve, e them këtë për shkak se tërë ditën merret me shantazhe, duke u munduar t’i shantazhojë anëtarët e BDI-së dhe funksionarët e saj, kurse tërë natën ata rrinë para dyerve të Qeverisë, duke pritur si macja ndër sofër, a do t’ju hedhë ndonjë asht padroni i tyre”, u shpreh kandidati për deputet i BDI-së, Rafiz Haliti.
“Nuk mund të krahasohet as Ermira Mehmeti me Bekim Fazliun, as Rafiz Haliti me Bekim Fazliun, as Qufa as Muhameti, as kërkush tjetër, lista e BDI-së është e njohur për banorët e Komunës së Sarajit”, tha kandidati për deputet i BDI-së, Blerim Bexheti.
“Thërras rininë tonë të pastër shqiptare, të na bashkëngjitet dhe më 27 prill ta bëjmë një referendum të madh dhe t’i themi Ali Ahmetit, z. Ali Ahmeti na prij më tutje”, u shpreh kandidati për deputet i BDI-së, Zulfi Adili.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit edhe kryesues i listës në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Ali Ahmeti, gjatë fjalimit të tij para banorëve të Sarajit, tha se shoqëria në vendin tonë po avancon dhe po reflekton në drejtim të mbarë dhe që qytetarët shqiptarë gjatë zgjedhjeve të së dielës, demonstruan ndërgjegjësim politik me mospjesëmarrjen e tyre.
Ahmeti tha se mospjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale është përkrahje e idesë kombëtare të kandidatit konsenzual që shtroi BDI, e cila ide, sipas kreut të integristëve, është e realizueshme, por që do vullnet dhe guxim politik.
“Çështjen e 13-të që ne e lamë pas dje, për shqiptarët ishte një plebishit, ishte një vendim i rëndësishëm i shqiptarëve dhe më 27 të këtij muaji do të zhvillohen dy procese paralelisht, votimi për kandidat për deputet, për legjislativin e ardhshëm dhe lista për kandidat për president. As njërin as tjetrin, shqiptarët kanë punën e vetë, të votojnë përfaqësuesit e vetë politik. Kjo ide është si “ortek” po nuk ka forcë që ta ndalë, mos sot, nesër e realizueshme është, sepse edhe ne nuk kemi të drejtë të shkelim mbi verdiktin që dje na kanë dhënë shqiptarët”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nënvizoi se të gjitha të arriturat në të mirë të shqiptarëve në Maqedoni, mbajnë shenjën e BDI-së si subjekt politik. Ai tha se BDI do të vazhdojë të këmbëngul që Maqedonia patjetër të anëtarësohet në NATO dhe BE, pasi sipas tij, nuk ka alternativë tjetër më të sigurt.
BDI sonte vazhdon fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Komunën e Zhelinës.
MEFAIL ISMAILI
