Diplomohet gjenerata e tetë në UNS

02.10.2016 16:27

Me një ceremoni solemne, mbrëmë, në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës...

Me një ceremoni solemne, mbrëmë, në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës u ndanë diplomat për apsolventët e gjeneratës së tetë  të cilët patën rastin që  emocionet e këtij akti solemn, ti ndajnë me pedagogët dhe familjet e tyre, drejtues të institucioneve dhe universiteteve  nga vendi dhe rajoni .

Studentët që u pajisën  me diploma, në këtë mbrëmje solemne përjetuan momente gëzimi dhe krenarie, emocione të cilat u ndanë me familjarët dhe stafin e tyre akademik. Gjenerata e tetë e të diplomuarve në UNS, vazhdon traditën e shkëlqyer, një traditë të një Universiteti i cili ka hedhur bazat e studimeve moderne, kërkimeve shkencore dhe aplikimit të metodave më të avansuara të studimit .

Universitetin Ndërkombëtar të Strugës e ka shoqëruar progresi  zhvillimor, ky institucion arsimor është bërë urë lidhëse e shteteve të ballkanit dhe më gjërë, duke bashkuar studentët të cilët sot kurorëzojnë investimin e tyre kapital, potencoi rektori Aleksandër Biberaj. Stafi akademik, tha ai, e ka rritur cilësinë, por sfidat për të ardhmen janë shumë më të mëdha, dhe ato do të fokusohen në vizionin për një arsim modern që bazohet në bashkëpunimin me institucionet e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Për të nderuar studentët e diplomuar dhe stafin drejtues të këtij universiteti, kishin ardhur edhe përfaqsues të institucioneve arsimore nga vendet e rajonit me të cilët UNS ka lidhur kontrata bashkëpunimi, përfaqsues të pushtetit qëndror dhe atij lokal të cilët i shprehën mirënjohje  UNS për të arriturat në fushën e arsimit, cilësinë studimore dhe infrastrukturën moderne të kësaj qendre universitare, duke dëshmuar se ai është unikal,  simbol i tolerancës dhe multikulturalizmit, tempull diturie që është i hapur për të gjithë njësoj, Universitet i diversitetit kulturor dhe investimit për të ardhmen.