Siri, bombardimet e avionëve detyrojnë mbylljen e spitalit në Aleppo

02.10.2016 18:16

Sulmet ajrore të avionëve Rusë dhe Sirianë në lindje të qytetit Aleppo...

Sulmet ajrore të avionëve Rusë dhe Sirianë në lindje të qytetit Aleppo i cili mbahet nga rebelët, kanë shkaktuar mbylljen e spitalit më të madh në zonë.

Kjo është konfirmuar nga organizatat humanitare, që kanë raportuar dhe për 2 persona të vrarë.

Shoqata Mjekësore Siriano-Amerikane, që operonte në spital, kanë bërë të ditur se godina është goditur nga bombat. Ka gjithashtu raportime se forcat pro-qeveritare siriane të mbështetura nga Rusia kanë sulmuar qytetin historik të vjetër në Aleppo.

Përleshje ndërmjet ushtrisë që mbështet presidentin Bashar Al Assad dhe rebelëve janë duke u zhvilluar në shumë zona.

Forcat ajrore Ruse dhe Siriane kanë rifilluar sulmet e përbashkëta në lindje të qytetit Aleppo, pas përfundimit të armëpushimit me 19 shtator. Forcat qeveritare kanë lëshuar një ofensivë tokësore kundër opozitarëve. Numri i lartë i civilëve të vrarë ka shkaktuar një reagim ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë se po drejton rebelët sirianë për të kërkuar mbështetje nga xhihadistët. Kombet e Bashkuara raportojnë se të paktën 400 civilë, përfshirë shumë fëmijë, janë vrarë në Aleppo këtë javë për shkak të sulmeve nga avionët Rusë dhe forcat pro-qeeritare Siriane.

Një zëdhënës i presidentit të Shteteve të Bashkuara ka dënuar sulmet duke thënë se është një fatkeqësi për mjekët dhe pacientët.

Gjithashtu edhe  ministri i jashtëm francez, Zhan Mark Ajro dënoi sulmin duke thënë se goditja e strukturave mjekësore cilësohet si krim lufte. Ai nënvizoi se përgjegjësit për bombardimet duhet të japin llogari.