Formula 1: Garë e çmendur dhe fitore e Ricciardo në Malajzi
Fitore e dyfishte e Red Bull në Malajzi...

Fitore e dyfishte e Red Bull në Malajzi. Daniel Ricciardo u rendit në shkallën më të lartë të podiumit të Sepangut i ndjekur nga shoku i skuadrës Max Verstappen dhe Nico Rosberg pas një gare ku ndodhi pothuajse gjithçka, me Lewis Hamilton që u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë.
E rrallë por e vërtetë, motori i Mercedesit të kampionit të botës u ndez në flakë në xhiron e 41 kur britaniku ishte në kryesim të garës me një diferencë të ndjeshme nga ndjekësit. Brenda pak sekondave, Hamilton e pa veten nga parajsa në Ferr.
Rikthimi në vendin e parë mbeti një iluzion për kampionin pasi është Rosberg që përfitoi nga asisti që i dhuroi makina tjetër e skuadrës gjermane. Rosberg u nis nga radha e parë por u penalizua pas një kontakti me Vettel në fillim të garës.
Gjithsesi, ai arriti të zhvillonte një garë pothuajse perfekte, duke fituar pozicion pas pozicioni deri në vendin e tretë ku mbylli edhe garën. Përveç Hamilton nga gara u tërhoq edhe Vettel që pas kontaktit me Rosberg nuk mundi të vazhdonte më tej. Një përplasje që e detyroi gjermanin të zhvendosej në fund.
Gjithsesi, ritmi i tij ishte gati gati i çmendur dhe ai arriti të fitonte ndjeshëm pozicione deri në vendin e tretë, duke lënë pas ferraristin tjetër Kimi Raikkonen që nuk arriti ta mbante pas krahëve.
Një tjetër kontakt Rosberg e regjistroi edhe në xhiron e 38 me një sulm nga brenda në dëm të finlandezit por as 10 sekondat penalitet nuk e ulën ritmin e tij. Pas kësaj gare, Rosberg e zgjeron diferencën me Hamilton në 23 pikë dhe tashmë gjermani është me njërën dorë te titulli i parë kampion në karrierën e tij.
Për shkak të tërheqjes së Hamilton, Mercedes detyrohet të presë garën e Japonisë për të festuar titullin e konstruktorëve, ndërsa Red Bull hodhi një hap mjaft të rëndësishëm me dyshen Riccardo-Verstapen, duke i dhënë një goditje të rëndë Ferrarit.