Kolumbi, qytetarët i thonë jo marrëveshjes me FARC
03.10.2016 10:40
Votuesit kolumbianë refuzuan marrëveshjen historike të paqes me rebelët e FARC-ut në referendumin që përfundoi me rezultate shokuese...

50.24 për qind e popullsisë u shpreh kundër saj. Marrëveshja u firmos javën e kaluar nga presidenti, Juan Manuel Santos, dhe udhëheqësi i FARC-ut, Timoleon Jimenez, pas gati katër vitesh negociata.
Por, që të hynte në fuqi, ajo duhej të ratifikohej nga kolumbianët. Në një fjalim për kombin, presidenti Santos tha se e pranonte rezultatin, por u zotua të vazhdojë përpjekjet për vendosjen e paqes. Ai sqaroi se armëpushimi aktual vazhdon të jetë i vlefshëm dhe urdhëroi negociatorët të udhëtojnë në Kuba për t’u konsultuar me përfaqësuesit e FARC-ut për hapat e ardhshëm.
“Nuk do të heq dorë. Do të vazhdoj të përpiqem për paqen deri në momentin e fundit të mandatit tim, pasi kjo është mënyra për t’u lënë fëmijëve tanë një vend më të mirë”,- deklaroi presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos.
Në të njëjtën linjë qëndrimi ishte edhe udhëheqësi i FARC-ut, i njohur si Timoshenko, i cili tha se grupi mbetej i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës.
Gjithsesi kritikat për ata që bënë fushatë për “Jo”-në nuk i kurseu. Më herët, rebelët ranë dakord të ulnin armët e t’i bashkoheshin procesit politik, pas një konflikti 52-vjeçar. Por, kritikët mendojnë se marrëveshja e trajton shumë butë FARC-un, që konsiderohet si një grup terrorist nga ShBA-të.
Ujdia do të lejonte rebelët të shmangnin dënimin me burg nëse do të pranonin krimet e tyre. Rebelëve u ishin premtuar gjithashtu 10 vende në Kongres për dy zgjedhjet e ardhshme.
Rezultati i papritur i votimit nënkupton se procesi i paqes është zhytur tashmë në ujëra të pasigurta. Konflikti i gjatë me grupin rebel i ka kushtuar jetën 260 mijë personave dhe presidenti Santos ka thënë në të kaluarën se nuk kishte një “plan B” për t’i dhënë fund luftës.
BELINDA KOKA-ADEMI
