Maqedoni
Houit për zgjedhjet e 11 dhjetorit: Dështimi i zgjedhjeve me pasoja për vendin
03.10.2016 15:01
Eurodeputeti, Riçard Houit, largohet nga Shkupi me porosi të qartë drejtuar politikanëve të vendit...

Eurodeputeti, Riçard Houit, largohet nga Shkupi me porosi të qartë drejtuar politikanëve të vendit, se zgjedhjet e 11 dhjetorit janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, në të kundërtën do të vazhdojnë restriksionet, përfshi këtu edhe rekomandimin e kushtëzuar që pritet të publikohet në nëntor.
Houit rekomandon që qytetarëve ditën e votimit mos t’u tregohet se për kë të votojnë, por t’u lejohet atyre të bëjnë përzgjedhjen e drejtë për ndryshimin e fuqisë politike.
Houit, i bindur se ndryshimet mund të ndodhin, rikujton se BE me vëmendje do të përcjellë procesin zgjedhor.
“Fakt është se pjesë e fondeve IPA nuk janë paguar, që është dashur të paguhen në të kaluarën. Gjithashtu është fakt se dy vite me radhë kishte rekomandim të kushtëzuar për çeljen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë. Pres që ky rekomandim sërish të jetë i kushtëzuar. Fakt është që një pjesë e angazhimit ndërkombëtar të disa vendeve është ulur për shkak të ngjarjeve në këtë shtet. Ashtu që pasojat veç më ekzistojnë, ato janë reale edhe në rast të përkeqësimit të mëtejmë të respektimit të normave demokratike. Andaj, këto zgjedhje, të cilat pres të mbahen më 11 dhjetor, do të duhet të paraqesin zgjedhje reale për ndërrimin e fuqisë politike. Parlamenti Europian dhe BE do të jenë këtu për ta ndjekur situatën”,- deklaroi eurodeputeti, Riçard Houit.
Houit është takuar edhe me prokuroren speciale, Katica Janeva, për t’i shprehur mbështetjen e BE-së. Eurodeputeti Houit porosit qeverinë të mos pengojë punën e speciales, ndërkaq mbështet iniciativat e sektorit civil për formimin e departamentit special në gjykatën Shkupi 1, që do të merrej me lëndët e Janevës.
“Nuk duhet të shtrohet pyetja e çfarëdo ndërhyrjeje apo trysnie në punën e speciales. Jam i dëshpëruar se nuk janë zbatuar ndryshimet për mbrojtjen e dëshmitarëve. Pres që ato të zbatohen me urgjencë. Jam i interesuar në propozimin e shoqërisë civile për krijimin e departamentit special në gjykatën Shkupi 1, që do të merrej me lëndët e Janevës. Është e qartë se prokurorët mund të jenë nën presion të madh në këtë situatë dhe krijimi i një departamenti special mund që të krijonte hapësirë dhe mbrojtje për t’u realizuar puna e prokurorëve. Shpresoj se kjo do të ndodhë. Është përgjegjësi e qeverisë dhe partisë në pushtet që të mbështesë punën e prokurores speciale. Qeveria, partia në pushtet dhe të gjitha partitë që nënshkruan marrëveshjen nuk duhet të lejojnë që përfaqësuesit e tyre të minojnë punën e Prokurorisë Speciale”,- tha eurodeputeti, Riçard Houit.
Houit shpreh dëshpërimin në rast se Gjykata Kushtetuese konteston kushtetutshmërinë e Gjykatës Speciale, e cila u formua pas dakordimeve politike në Përzhinë.
Në rast se një gjë e tillë ndodh, Houit thotë se ka marrë garanci nga partitë politike se ato menjëherë do të mblidhen në kuvend dhe do të vendosin që Janeva të vazhdojë punën pa pengesa.
MERAL ISMAILI
