Tetovë, nesër fillon Festivali i filmit Tiff-Oda

03.10.2016 15:54

36 filma të metrazhit të shkurtër nga 25 shtete të ndryshme...

36 filma të metrazhit të shkurtër nga 25 shtete të ndryshme, do të prezantohen ditëve në vijim, në kuadër të Festivalit të filmit Tiff- Oda në Tetovë.

Ky është edicioni i pestë me radhë i këtij festivali që organizohet në qytetin e Tetovës.

Organizatorët thonë se festivali fillon nesër, ndërsa vlerësojnë se ai po shkon duke u rritur vit pas viti.

“Kryesisht festivali Tif –Oda është një festival që në ngjarjen e vetë e ka filmin e shkurtër, filmin artistik të metrazhit të shkurtër. Më herët foli edhe profesor Spahiu, ku ka pasur një konkurrim diku të rreth 855 filma, nga të cilët janë selektuar vetëm 36-të që prezantojnë 25 shtete. Ky është program kryesor, ndërsa programet tjera i kemi, edhe punëtoritë, edhe bisedë me autorët dhe programin e mbrëmjes që kryesisht e kemi ndërtuar vetëm me qytetarët, në të cilin bëjnë filma, ku kanë triumfuar edhe në festival shumë të mëdha, siç është filmi “Shok”, filmi “Krom” dhe “Babai””,- deklaroi organizatori, Sabedin Selmani.

“Në përbërjen e këtij festivali janë tema të caktuara që janë përzgjedhur nga një trup i përbërë nga studentë dhe profesionalistë të një seleksionimi të brendshëm. 800 e disa filma të aplikuar janë bërë një numër shumë simpatik, janë bërë 36 filma të shkurtër. Natyrisht në këtë tërësi përbërja është e shteteve që i kemi në regjion dhe njëkohësisht edhe ato më gjerë”,- deklaroi organizatori, Afrim Spahiu.

Festivali Tiff-Oda do të përmbyllët më 8 tetor. Por, megjithëse organizimin e festivalit e ka përkrahur komuna e Tetovës, Qendra për kulturë në Tetovë, Universiteti i Tetovës dhe Agjencia e filmit në Maqedoni.

Organizatorët thonë se përkrahja është e pamjaftueshme për realizimin e gjithë asaj që e kanë paramenduar. (Visar Sadiki, TVM2)