Maqedoni

Kuvendi do shqyrtojë fatin e PPS-së

03.10.2016 17:58

Kuvendi republikan, të martën do të vendos për Ligjin për PPS-në dhe mbrojtjen e dëshmitarëve...

Kreu i Kuvendit, Trajnko Veljanovski, ka vendosur në seancën e 123-të dy propozim ligjet e opozitës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve përkatëse, me procedurë të shkurtuar. 
 
Me ndryshimet në Ligjin për Prokurori Publike për ndjekjen e veprave penale të lidhura dhe që burojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, opozita maqedonase propozon ndërprerjen e afatit 18-mujor të paraparë për ngritjen e akuzës, pasi konsideron se ky afat është i pamjaftueshëm, prandaj propozon përcaktimin e afateve të cilët do të jenë të mjaftueshëm për arritjen e qëllimit për themelimin e kësaj prokurorie.
 
“Në periudhën e kaluar u tregua se për shkak të volumit të lëndëve dhe koordinimit joadekuat me institucionet e tjera kompetente, madje edhe obstruksione të punës së prokurorisë, afati i paraparë prej 18-muaj nuk është i mjaftueshëm për mbylljen e suksesshme të procedurave për lëndët e shumta që janë hapur dhe për realizimin e komunikimeve të nevojshme me organet e tjera në vend dhe jashtë për sigurimin e dëshmive cilësore për aktin e akuzës”, - thuhet në arsyetimin e opozitës.
 
Opozita propozon Prokurorinë Publike të RM-së si organ, që mund të vazhdojë afatin për gjashtë muaj, pasi prokurorja speciale ta ketë njoftuar se procedura hetimore nuk ka përfunduar në afat prej 12 muaj nga dita e marrjes së urdhrit për të zbatuar hetim.
 
Konform ligjit në fuqi, afati i fundit për të ngritur akuzë ose për të urdhëruar ndërprerjen e një procedure hetimore sanksionohet në periudhë jo më të gjatë se 18-muaj nga dita e marrjes së lëndëve dhe materialeve në kompetencë të saj.
 
Në pako me ligjin për PPS-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Me këtë propozim ligj rregullohet kompetenca e PPS-së në procedurën për mbrojtjen e dëshmitarëve. 
 
Këto ndryshime ligjore vijnë si propozim ligje të opozitës menjëherë pas raportit të dytë gjashtëmujor të prokurores speciale, Katica Janeva, e cila gjatë raportimit e kërkoi një gjë të tillë nga Kuvendi.
 
Sipas saj, koha e sanksionuar me ligjin në fuqi është e pamjaftueshme për shqyrtimin e të gjitha materialeve që burojnë dhe janë të lidhura me përgjimet, ndërsa shumë dëshmitarë frikohen të dëshmojnë para kësaj prokurorie pasi nuk ndjehen të mbrojtur.
 
Mirëpo, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, që atë ditë tha se, aktualisht, te shumica parlamentare nuk ka vullnet për ndryshime të tilla ligjore. Nga BDI thonë se e përkrahin punën e Prokurorisë Speciale, ndërkaq propozim ligjet do t’i shqyrtojnë organet partiake dhe vendimin do ta paraqesin nesër në Kuvend.
 
SHPËTIM NUREDINI