Maqedoni
Bajrami: Mbështetje nga Kosova për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup
03.10.2016 18:10
Ministria e Arsimit e Kosovës mbështet hapjen e Universitet të ri “Nënë Tereza” në Shkup...

Mbështetjen ministri kosovar, Arsim Bajrami, ia përcolli homologut të tij në Shkup, Pishtar Lutfiu, duke bërë të ditur se ashtu siç është ndihmuar themelimi i Universitetit të Tetovës, edhe Universiteti “Nënë Tereza” në fazën e parë do të përkrahet me mësimdhënës nga Kosova.
“Kosova nëpërmjet universiteteve të veta ka ndihmuar edhe konsolidimin e universiteteve tjera shqipe, ku një pjesë e profesorëve kanë qenë nga themelimi për të mundësuar konsolidimin dhe jemi shumë të lumtur që këto dy universitete kanë krijuar gjenerata të tëra dhe ne jemi të gatshëm që edhe Universitetin “Nënë Tereza”, një universitet do të thosha edhe model sa i përket cilësisë, ta ndihmojmë në fazën e parë. Meqenëse është një universitet i rëndësisë së veçantë, ne me gjitha kapacitetet si ministri do të stimulojmë profesorët tanë deri sa të krijohet stafi vendor”,- deklaroi ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, theksoi se regjistrimet në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup do të përfundojnë deri në fund të javës.
“E rëndësishme është që tani regjistrimet kanë filluar nëpërmjet ueb faqes, studentët e kanë shtëpinë e tyre, që është në godinën e UJL-së, kanë filluar gjithçka teknikisht të përgatitet dhe sa i përket regjistrimit besoj se deri në fund të javës të gjitha procedurat të përfundojnë. Nuk besoj që jemi shumë vonë, e rëndësishme është që ky universitet ka filluar të funksionojë”,- theksoi ministri i Arsimit në Maqedoni, Pishtar Lutfiu.
Po ashtu ministri Bajrami tha se nga Qeveria e Kosovës kanë filluar me njohjen e diplomave të universiteteve private në Maqedoni, sepse një numër i madh i studentëve nga Kosova kanë përfunduar studimet në këto universitete. Ai gjithashtu përsëriti edhe gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të ndihmuar financiarisht Muzeun e Alfabetit në Manastir, për çka janë paraparë mjete për vitin e ardhshëm.
Ministrat Lutfiu dhe Bajrami biseduan edhe për lëshimin e grandeve deri më 10 tetor nga ana e dy ministrive, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në sferën e arsimit nga ana e dy shteteve.
REJHANE BUSHI-METAJ
