Botë
Itali, rreziku nga terrorizmi, dëbohen pesë shtetas nga Maqedonia, ishin pro ISIS
03.10.2016 18:14
Pesë shtetas maqedonas janë dëbuar nga Italia për shkak se kishin bërë propagandë pro-ISIS në rrjetet sociale...

Lajmi është komunikuar nga zyrtarët italianë, të cilët nënvizuan se këta individë shiheshin si një rrezik për sigurinë kombëtare.
Ata njoftuan se të pesë personat jetonin të gjithë në provincën e Goricia, që ndodhet shumë pranë me kufirin slloven.
Për mediat u prononcua edhe Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano, i cili u shpreh se ky ishte një hetim i cili kishte nisur prej dy vitesh, pasi autoritetet kishin nuhatur një aktivitet të dyshimtë të tyre.
Alfano tha se në rrjetet sociale, që menaxhoheshin nga pesë shtetasit maqedonas, postoheshin vazhdimisht mesazhe pro “Shtetit Islamik”.
Ai nuk dha detaje për të dëbuarit, por u shpreh se dy personat që përbënin më shumë rrezik ishin dy vëllezër të moshave 31 dhe 28 vjeçare.
Në mbyllje, zyrtari i qeverisë e konsideroi këtë operacion një tjetër sukses për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit. Italia e ka përdorur praktikën e dëbimit shpesh përgjatë viteve të fundit.
Që prej vitit 2015 e deri më tani ka pasur në total 121 persona që janë dëbuar nga vendi, 55 prej të cilëve gjatë këtij viti.
BELINDA KOKA-ADEMI
