Maqedoni
Papa vizitoi xhaminë në Baku, Papa: Fakti që jemi bashkë këtu është bekim
04.10.2016 12:45
Papa Françesku vizitoi xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku, së bashku me shehun e myslimanëve të Kaukazit, Allahshukur Pashazadeh...

Vizita në xhami shënoi edhe fundin e vizitës së Atit të Shenjtë në Gjeorgji e në Azerbajxhan, që është edhe udhëtimi i tij i 16-të apostolik.
“Fakti që jemi këtu sot, së bashku, është bekim!”,- tha Papa në takimin ndërfetar, ku përveç myslimanëve dhe katolikëve, ishin të pranishëm edhe ortodoksët dhe hebrenjtë e vendit.
“Është shenjë e madhe, të takohemi në miqësi vëllazërore në këtë vend lutjeje – vijoi Ati i Shenjtë – shenjë që tregon atë harmoni, që mund të arrijnë fetë së bashku, duke u nisur nga marrëdhëniet personale dhe nga vullneti i mirë”.
Shehu i myslimanëve i dhuroi një kopje të Kuranit dhe një sixhade, dhe me këtë rast Papa nënvizoi se bashkëpunimi ndihmon të ndërtohen shoqëri më të mira e paqësore, si edhe të promovohet dialogu dhe kultura.
“Fetë kanë një detyrë edukative: të ndihmojnë për të nxjerrë nga njeriu anën më të mirë të tij”, deklaroi Papa Françesku në xhaminë në Baku.
