Botë
ShBA suspendon bisedimet me Rusinë për Sirinë
04.10.2016 13:01
Shtetet e Bashkuara kanë suspenduar bisedimet me Rusinë për dhënien fund të dhunës në Siri...

Përmes një deklarate për media, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka akuzuar Rusinë dhe Sirinë se kanë intensifikuar sulmet në zonat e banuara me civilë.
“Rusia dhe regjimi sirian kanë zgjedhur të ndjekin kursin ushtarak, që është në kundërshtim me ndërprerjen e armiqësive. Kjo gjë dëshmohet nga intensifikimi i sulmeve në zonat e civilëve, duke pasur për cak infrastrukturë kritike, siç janë spitalet, dhe parandalimin e arritjes së ndihmave për civilët në nevojë”,- ka thënë Kirby.
“Ky vendim nuk ishte i lehtë për t’u marrë”,- ka thënë tutje ai.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudaeu, ka thënë se pavarësisht suspendimit të bisedimeve, komandantët e ushtrisë së ShBA-së dhe Rusisë janë në kontakt me qëllim që të shmangen incidentet apo edhe ndonjë konflikt i mundshëm në mes të dyja shteteve në zonën ajrore të Sirisë.
Si pjesë e këtij vendimi për suspendim për bisedimet, ShBA ka thënë se do të tërheq personelin që e kishte dërguar për krijimin e mundshëm të një qendre të përbashkët ShBA-Rusi. Kjo qendër ishte paraparë që të koordinonte bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, nëse marrëveshja e armëpushimit do të respektohej.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar të shpëtojë armëpushimin në Siri. Franca dhe Spanja kanë kërkuar miratimin e Këshillit për masa të cilat menjëherë do të ndalonin sulmet ajrore në Alepo, por Rusia ka thënë se kjo gjë “nuk ka shans të funksionojë”.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, ka thënë se i vjen shumë keq për dështimin e përpjekje diplomatike të ShBA-së dhe Rusisë për të ripërtërirë armëpushimin, por ka shtuar se ai do të vazhdojë të insistojë në gjetjen e zgjidhjes politike dhe asnjëherë nuk do të braktisë njerëzit e Sirisë.
