Botë

Shkodër, dy të vdekur dhe katër të plagosur

04.10.2016 13:24

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e kaluar në Shkodër, ku një person ka qëlluar me breshëri automatiku në një lokal, duke lënë dy të vdekur dhe katër të plagosur...

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dajç të Shkodrës, pas një loje pokeri mes shokësh. Autori i kësaj masakre, sipas policisë, është Miklovan Parubi, 33 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
 
Nga informacionet që ka siguruar policia mësohet se në katin e dytë të lokalit në qendër të fshatit Dajç, viktimat dhe të plagosurit së bashku me autorin e ngjarjes janë të gjithë banorë të zonës dhe shokë me njëri-tjetrin, ku edhe kanë qenë duke luajtur poker.
 
Loja ka degjeneruar në një konflikt banal. Pas konfliktit, autori është larguar nga lokali për t’u kthyer përsëri me një armë zjarri automatik dhe sapo është futur brenda ka qëlluar me breshëri plumbash drejt tavolinës së pokerit ku ndodheshin shokët me të cilët kishte debatuar.
 
Për pasojë, dy prej tyre kanë gjetur vdekjen në vend, ndërsa katër të tjerët kanë mbetur të plagosur, të cilët janë dërguar në Spitalin rajonal të Shkodrës, ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Policia shpërndau foton e Miklovan Parubit, i cili është shpallur në  kërkim.
 
Ai, sipas policisë, njihet si përdorues i substancave narkotike dhe si person me veprime emocionale të pakontrolluara. Policia shqiptare ofron 500 mijë lekë të reja për informacione që mund të çojnë në kapjen e autorit të vrasjes së dyfishtë.